
Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, Facebook
Kryhet për herë të parë një operacion i rrallë në hundë në QKUK
Një operacion i rrallë u krye për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vullnetarisht nga doktori Arsim Thaqi, i cili për shumë vjet ka specializuar dhe punuar në institucione në Gjermani.
Operacioni është bërë me metodën e re FESS (Kirurgjia Endoskopike e Sinusëve).
Sipas njoftimit të ShSKUK-së, Thaqi u asistua nga specialistët dhe specializantët e Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL).
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar ka thënë se një operacion i tillë në institucionet jashtë vendit kushton rreth 15 mijë euro.
Ndërhyrja që zgjati mbi tri orë iu bë një 19-vjeçari që ishte diagnostikuar me tumor në hundë.
“Pacienti E.D. i moshës 19 vjeçare, ishte me diagnozë Angiofibroma Juvenile (tumor i indit lidhor dhe enëve të gjakut në hundë e pjesët përreth hundës). Para operacionit, atij i ishin kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë Tomografi të Kompjuterizuar(CT) dhe Rezonancë Magnetike (MRI)” – thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar.
Doktori Thaqi do të realizojë edhe disa operacione të tjera të komplikuara, me leje të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë.
ShSKUK këtë e konsideron mundësi për edukim profesional për profesionistët e ORL-së.