Safet Gjici

Kryetari i Bashkisë së Kukësit i bjen pishman për tërheqjen e titullit për Veton Surroin

Safet Gjici, Kryetar i Bashkisë së Kukësit ka reaguar në lidhje me veprimin për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” ndaj Veton Surroit.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Gjici tha se ka qenë veprim i nxituar ndërsa ka kërkuar falje për këtë.

“Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së! Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale”, ka shkruar Gjici në Facebook.

Gjatë ditës së sotme qarkulluan lajmet në mediat shqiptare se

Publicistit dhe politikanit Kosovar Veton Surroi, i është hequr titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur të premten. Ky vendim sipas kreut të Këshillit të Qarkut Abdulla Domi, është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit, të cilët sipas Domit kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.

Sipas News.al Kryetari i Bashkisë Safet Gjici kishte thënë se heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për heqjen e titullit “Nderi i Qarkut Kukës” ka reaguar edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.  Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!”, ka thënë Rama.