Foto: ZKM.

Kryeministri Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin çek Pavel Bilek

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Çekisë, Pavel Bilek.

Kryeministria ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Bilek për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe angazhimin për avancimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për Republikën e Kosovës në organizatat dhe forumet ndërkombëtare

“Kryeministri kujtoi se ky bashkëpunim i mirë është shënuar vitin e kaluar me dorëzimin në kryeqytetin e Republikës Çeke, në Pragë, të Aplikacionit për anëtarësim e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ngjarje historike për Kosovën dhe qytetarët, dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian si aspiratë dhe fat i Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit.

Po sipas njoftimit, Presidenca Çeke në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar ka ndihmuar Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian me rastin e pranimit të aplikacionit për anëtarësim në BE dhe ka kontribuar aktivisht në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, sipas ZKM-së gjatë këtij takimi ambasadori Bilek veçoi si moment dorëzimin në Pragë të aplikacionit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare.