Albin Kurti. Foto: KALLXO.com.

Kryeministri Kurti premton përkrahje për specializantët shqiptarë nga vendet fqinje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar përmes një video-postimi në Facebook se ka pritur në takim specializantë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Sipas Kurtit, qeveria çdo vit ka mbështetur shkollimin e tyre.

Më tej kryeministri ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbështetjen, siç ka thënë ai për bashkëkombësit nga vendet fqinje.

“Në mbledhjen e kaluar të Qeverisë, u aprovua pagesa për 375 specializantë të Kosovës me vetëfinancim, si dhe 21 nga vendet e rajonit. Specializantët nga Presheva, Medvegja e Bujanovci, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia po trajtohen të edhe në aspektin e mbështetjes financiare”- deklaroi kryeministri.

Ai ka thënë se gjatë 2023-tës Qeveria ka ndarë mjete për shqiptarët në Luginë dhe buxheti për 2024-tën do të jetë më i lartë, nga dy në tre milionë.

Ai tha se përkushtimi për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë është obligim dhe rrjedhshmëri e kohës.