Kryeministri Kurti deklarohet rreth idesë për tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk e sheh si zgjidhje të problemit, lejimin e tërheqjes së parave nga Trusti pensional.

Kurti ka thënë se me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, zbutet kriza në Kosovë.

“Ne e kemi thënë edhe shumë më herët, edhe kur ishim në opozitë edhe tani. Me pakon e ringjalljes ekonomike, ne e zbusim krizën. Nuk konsideromë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm, ta zgjidhim problemin”, tha Kurti.

“E keni parë që edhe dy ekspertë të njohur të Fondit Monetar Ndërkombëtar e kanë dhënë vlerësimin e tyre se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”.

Deputet të ndryshëm të opozitës kanë shprehur kërkesën që të edhe një herë tjetër qytetarëve të Kosovës, të iu lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti. Një tërheqje prej 10% të kursimeve pensionale ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2020 në kohën kur kryeministër ishte Avdullah Hoti.