Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri izraelit njofton se do të vazhdojë me ndryshimet në sistemin e drejtësisë

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, tha të dielën se qeveria e tij synon të vazhdojë planet për ndryshimet në sistemin e drejtësisë pasi bisedimet që synonin gjetjen e një zgjidhjeje duket se dështuan.

Në fillim të këtij viti, ndryshimet e propozuara nga qeveria, që do t’i kufizonin kompetencat e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër legjislativit dhe ekzekutivit, ndërsa do t’u jepnin ligjvënësve të koalicionit më shumë pushtet në emërimin e gjykatësve, shkaktuan krizën e brendshme më të rëndë ndër vite.

Bisedimet mes qeverisë dhe partive opozitare e zbutën disi krizën, me përpjekjet për të gjetur një rrugë të mesme për ndryshimet e propozuara.

Këto bisedime u tronditën javën e kaluar për shkak të një krize rreth përbërjes së komisionit rregullator përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve të vendit.

Udhëheqësit e opozitës thanë se bisedimet ishin ngrirë deri në formimin e komitetit.

Në një takim të kabinetit të tij të dielën, zoti Netanyahu tha se opozita nuk kishte marrë pjesë me mirëbesim në bisedime dhe se qeveria e tij do të vazhdojë, me kujdes, me ndryshimet.

“Këtë javë do të fillojmë hapat praktikë. Do t’i bëjmë në mënyrë të matur, me përgjegjësi, por në përputhje me mandatin që kemi marrë për të bërë ndryshime në sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Për shkak të protestave, Kryeministri Netanjahu vendosi në fund të marsit të shtynte miratimin e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë.

Vendimi për të ecur përpara ka të ngjarë të ndezë tensionet dhe protestat, që kanë vazhduar çdo të shtunë.

Udhëheqësit e protestës thanë se ishin gati për një raund tjetër demonstratash që do të çonin në dështimin e “çdo përpjekjeje për të dëmtuar sistemin demokratik të drejtësisë së Izraelit”.

Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid, partia e të cilit kishte negociuar me zotin Netanyahun, tha se vazhdimi me ndryshimet në mënyrë të njëanshme “do të dëmtojë në mënyrë kritike ekonominë dhe do të rrezikojë sigurinë e Izraelit”./VOA