Armët e grupit terrorist serb që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit Foto: KALLXO.com

Kryeministri i Bosnjës mohon se armët e përdorura në sulmin terrorist në Banjskë janë blerë në Tuzëll

Kryeministri i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Nermin Nikshiq ka mohuar deklarimet Prokurorisë në Serbi, se armët e përdorua në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë blerë në Tuzlla të Bosnjës.

Ai këto pretendime i quajti false dhe se nuk mund të mbështeten në ndonjë evidencë.

“E kuptoj se ditët e fundit Serbia i është ekspozuar një presioni dhe dënimi nga vendet demokratike, por kjo nuk do të thotë se mund të kërkojnë alibi për veprimet e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë” – është shprehur ai.

Më 4 tetor Ministri i Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Ramo Isak, ka thënë se do t’i hetojnë pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se armët e përdorura në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit janë blerë nga vendi i tij, përkatësisht qyteti i Tuzles.

Isak në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se ende nuk e di “nëse pretendimet për blerjen e pretenduar të armëve në territorin e Bosnjë-Hercegovinës janë të vërteta”.

Ai ka thënë se për vërtetimin e këtyre pretendimeve është paraqitur kërkesa për hetim.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd në një deklaratë të lëshuar me 3 tetor, ka pretenduar se nga janari 2023 deri më 24 shtator [Millan Radoiçiq] ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Nga Policia e Kosovës e nga Ministria e Punëve të Brendshme në vazhdimësi ka pasur deklarime se armët e grupit terrorist që u zunë në Banjskë dhe zonën përreth janë të prodhuara në Serbi dhe viti i prodhimit të disa prej tyre (viteve të fundit, madje edhe më 2023) lë të kuptojë se grupi është furnizuar nga institucionet e Serbisë.

Përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari tashmë i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.

Ministri i Brendshëm i Bosnjës: Pretendimet për blerjen e armëve nga Radoiçiq do të hetohen