Kryeministri hungarez, Viktor Orban - Foto: REL/Reuters

Kryeministri hungarez Orban bën thirrje për shpërndarje të Parlamentit Evropian

Pushtimi i plotë ushtarak rus në Ukrainë “ka vetëm humbës deri më tani”, ka thënë kryeministri hungarez të mërkurën, duke deklaruar se “të dyja palët dhe ekonomia evropiane” kanë marrë goditje nga agresioni i Moskës.

Konferenca e shtypit gati tre-orëshe, e mbajtur çdo vit, është pothuajse i vetmi rast i vitit kur Victor Orban pranon t’u përgjigjet pyetjeve nga mediat ndërkombëtare ose mediat kritike hungareze.

Udhëheqësi joliberal i krahut të djathtë, i cili fitoi mandatin e katërt radhazi si kryeministër i Hungarisë në prill, është përfshirë në beteja të shpeshta me BE-në, e cila e akuzon atë për shkelje të normave demokratike dhe mbikëqyrje të korrupsionit zyrtar në shkallë të gjerë.

Mirëpo, të mërkurën, Orban e kritikoi Parlamentin Evropian për zbulimet e fundit të një skandali korrupsioni me para për favore që dyshohet se përfshin Katarin dhe huazoi një frazë nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se ka ardhur koha për ta “kulluar kënetën” në Bruksel dhe se ky skandal, sipas tij, e ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucionit dhe se ai mbështet shfuqizimin e organit siç ekziston aktualisht.

Orban bëri thirrje gjithashtu që anëtarët e Parlamentit Evropian të delegohen nga parlamentet kombëtare në vend që të zgjidhen.

“Hungarezët do të dëshironin që Parlamenti Evropian të shpërndahej në formën e tij aktuale”- ka deklaruar Orban.

“Shkalla në të cilën është dëmtuar reputacioni i Parlamentit Evropian në Hungari është e lehtë për t’u përgjigjur: aspak, sepse nuk mund të jetë më e ulët”- ka shtuar Orban./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala