Krasniqi: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE është sinjal i keq për komunitetet joshumicë në Kosovë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përfitojnë veçanërisht komunitetet joshumicë.

Ai ka thënë se Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës nga lidershipi aktual i Evropës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është sinjal shumë i keq për komunitetet joshumicë në Kosovë.

“Së pari, Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës. Me Kushtetutë, serbët e Kosovës e kanë të drejtën dhe lirinë e asociimit si çdo komunitet tjetër. Së dyti, me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë, si rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë, të cilët më së shumti do të përfitonin nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”- ka thënë ai.

Ndërsa së treti, sipas tij, prioritizimi dhe insistimi në mekanizma e entitete një etnike rrezikon që në Kosovë të krijohet një superkomunitet joshumicë, duke e shthurrur kështu harmoninë kushtetuese që ekziston ndërmjet komuniteteve joshumicë.

“Si qytetar i kësaj Republike e së dyti si egjiptian në Kosovë, kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë”- është shprehur ai.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin ee anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK