Kosova ende pa tabela të unifikuara të automjeteve

Njëmbëdhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka unifikuar tabelat e automjeteve.

Përveç tabelave “RKS”, në vend, legalisht përdoren edhe ato “KS”, të cilat përdoreshin para shpalljes së pavarësisë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se janë mijëra vetura me tabela “KS” dhe se nëse nuk merret një vendim ndryshe, tabelat “KS” do të vazhdojnë të jenë në qarkullim.

Mentor Veseli, për katër vite, veturën e tij e drejtoi më tabelat e Republikës së Kosovës – RKS, por telashet që po shkaktohen në kufirin me Serbinë, bën që ai përsëri të pajiset me tabelat e mëhershme “KS”, të cilat ndryshe nga ato “RKS”, janë të pranueshme nga Serbia.

“Me herët i kam pasur RKS, por qe tri vjet i kam heq. I kam vendos KS. Më bie të udhëtoj prej Kosovës nëpër Serbi, për të kryer punë në shtete të tjera, po duhet t’i heq tabelat. Po, është e mundimshme kjo far puna, hiq e vendos tabelat provë. Edhe i kam vendos tabelat KS”, tha Veseli.

Megjithëse Kosova dhe Serbia, janë pajtuar në Bruksel për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me tabela të dy shteteve, kosovarët që shkojnë apo kalojnë transit nëpër Serbi, janë të detyruar të mbulojnë tabelat “RKS” dhe të pajisen me tabela “prova”.

Kjo, ka bërë që shumë kosovarë të heqin tabelat “RKS” dhe të pajisen përsëri me ato “KS”. Ariana Podrimaj, nga Zyra për informim në Ministrisë e Punëve të Brendshme, i tha Radio Kosovës se vetëm këtë vit, me tabela “KS” janë pajisur rreth 5 mijë vetura.

“Bazuar në sistemin elektronik të regjistrimit të automjeteve, numri total i automjeteve aktive me tabela “KS” është 41 mijë e 421. Të regjistruara me “KS” nga janari deri më tani janë 4 mijë e 746 automjete. Mjetet me traga “KS” regjistrohen sipas marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë”, tha ajo.

Podrimaj tha se automjetet me tabela “KS” regjistrohen në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë dhe se do të jenë legale deri në një vendim tjetër. Disa herë është përfolur mundësia e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, por kjo nuk ka ndodhur. Radio Kosova ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje, se pas formimit eventual të qeverisë Kurti, a do të vendosin reciprocitet për fqinjin verior, por, për këtë nuk ka marrë një përgjigje./RTK