Konjufca reagon ndaj lajmit se theu kufizimet anti COVID: Fotoja është e shkrepur më 17 shkurt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca ka demantuar lajmet e publikuar nëpër disa portale se kinse ai kishte marrë pjesë në një darkë me përkrahës të partisë duke thyer masat kundër COVID-19.

Konjuca ka deklaruar se kjo fotografi ishte shkrepur më 17 shkurt, teksa tregon agjendën ditore të ditës së djeshme.

“Mbrëmë isha cak i një sulmi të disa portaleve (Metro, Periskopi, Insajderi, Infokus dhe Lajmi.net) përmes një lajmi të rremë. U keqpërdor qëllimshëm një fotografi e 17 shkurtit pë të ma mveshur një darkë të pa qenë. Unë dje, së bashku me Presidenten dhe Kryeministrin, fillimisht isha në homazhe te dëshmorët e Prishtinës me rastin e ditës që u kushtohet atyre. Më pas vazhdova te varri i Adem Demaçit dhe dëshmorët e rënë në krye me Afrim Zhitinë. Pas kësaj shkova në Makoc për t’i nderuar të rënët e këtij vendi e të Gollakut. Vazhdova për ta përkujtuar Betejën e Marecit ku ranë heroikisht 27 dëshmorë e 16 martirë mes 18 e 23 prillit të vitit 1999. Po këtë datë ishte edhe përvjetori i masakrës së Koliqit e Dyzit dhe unë isha atje po ashtu për të bërë homazhe. Dhe, në fund shkova edhe ne fshatin Ribar të Lipjanit meqë më 18 prill 1999 ushtria e policia serbe atje vrau 25 shqiptarë”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, më këto lajme të rreme po njolloset pozita shtetërore e kryeparlamentarit dhe jo ai personalisht.

“Shumica prej portaleve që e prodhuan lajmin e rremë nuk u morën fare me këto aktivitete të vërteta. Por ma mveshën një aktivitet të pavërtetë. Kjo është për keqardhje. Konsideroj që, në këtë mënyrë, nuk jam unë personalisht që po sulmohem, por pozita shtetërore e Kryetarit të Kuvendit. Për ta njollosur atë. Nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë fushatë të lajmeve të rreme veçse vazhdimësi e luftës së atyre që nuk pajtohen me ndryshimet demokratike në vendin tonë. Beteja politike duhet të ndodh në rrafshin e fakteve dhe argumenteve. Kurse lajmet e rreme e dëmtojnë edhe demokracinë edhe gazetarinë”, ka shtuar tutje Konjufca.