Arkiv - Seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha (16.09.2022), Foto: KALLXO.com

Konfirmohet aktakuza ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe tre të tjerëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Është konfirmuar aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-ministres Dhurata Hoxhës, Ekrem Tahirit, Fitim Mustafajt dhe Gëzim Dushit.

Gjykata e Apelit ka refuzuar aneksat e mbrojtësve të të akuzuarve drejtuar vendimit të Gjykatës Themelore, departamentit special, e cila kishte refuzuar kërkesat e tyre për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit provat janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.

Andaj kjo gjykatë ankesat i vlerësoi si të pabazuara ngase sipas tyre, gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar drejt kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit.

Kujtojmë që mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Arbër Jashari, Florent Latifaj, Kosovare Kelmendi dhe Driton Muharremi paraqitën kundërshtime dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës.

Ndërsa prokuroria, gjykatës i ka propozuar që këto kërkesa e kundërshtime të refuzohen.

Gjykata ato i refuzoi si të pabazuara andaj edhe mbrojtësit paraqitën ankesë ndaj këtij vendimi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Njëra nga të akuzuarat është edhe ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Sipas njoftimit të prokurorisë, të pandehurit Fitim Mustafa, Dhurata Hoxha dhe Gëzim Dushi në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa i pandehuri i katërt me inicialet E.T., dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Mbi 140 mijë euro të buxhetit të Shtetit të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions” e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Interneës Kosova, të cilat kishin alarmuar prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo ministri.

Ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale edhe në vitin 2021, pas hulumtimit të publikuar nga KALLXO.com, në lidhje me kontratën e lobimit, të nënshkruar në vitin 2019 me kompaninë nga Parisi, e cila në fund kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.