Vizita ne fshtrat e Vushtrrise foto Xhafer Tahiri Facebook

Komuna e Vushtrrisë ndan 110 mijë euro për fshatrat e dëmtuara nga vërshimet

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar se Komuna do të ndajë 110 mijë euro për kompensim të dëmeve nga vërshimet e 17 gushtit  në fshatrat Pestovë, tri Dumnicat, Stanoc i Epërm dhe Lumadh.

Tahiri ka shkruar se gjatë vizitës në fshatrat e dëmtuara së bashku me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, ministri ka premtuar se  do të bëjë kompensim të pjesshëm të dëmeve në bujqësi në Vushtrri.

“Vlera totale e dëmit të shkaktuar nga kjo fatkeqësi elementare që kishim me datën 17 dhe 18 gusht në Pestovë, Dumnicë, Stanovcë i Epërm e Lumadh përfshinë shumën prej 900 mijë eurove’ ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tutje, ai ka shkruar se mbi 200 mijë euro janë dëmet në bujqësi dhe kulturat bujqësore, mbi 200 mijë euro janë dëmet në biznes dhe mbi 300 mijë euro janë dëmet në ekonomitë familjare, përkatësisht në shtëpitë e vërshuara.

Tahiri ka thënë se komisioni komunal deri të premten do të pranojë edhe kërkesat të fermerëve të tjerë, apo të ekonomive familjare që akoma nuk janë vizituar.

Reshjet e mëdha të shiut të 17 gushtit kishin shkaktuar dëme të mëdha në disa fshatra të Vushtrrisë.

Vizita në fshatrat e Vushtrrisë, Foto: Xhafer Tahiri Facebook