Komuna e Vitisë rihap bibliotekat publike por me disa kushte

Biblotekat publike në Komunën e Vitisë janë rihapur gjatë ditës së sotme, pasi ishin mbyllur si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19.

Komuna ka bërë të ditur se Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti ka rihapur sot biblotekën publike për të rriturit dhe atë të fëmijëve.

“Bibliotekat publike brenda shtëpisë së kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, ishin mbyllur si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit pandemik COVID-19. Megjithatë rihapja e bibliotekës është bërë me disa kushte e ndër to është vetëm marrja dhe kthimi i librave por jo edhe shfrytëzimi i hapësirave për lexim brenda bibliotekave`, thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë.

Milot Lala, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti, ka bërë të ditur se bibliotekat publike të komunës në qytetin e Vitisë, janë rihapur në koordinim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Lala ka treguar se për shkak të pandemisë duhet të zbatohen disa kushte dhe kjo është në të mirën e shëndetit publik.

“Bibliotekat publike në qytetin e Vitisë janë rihapur nga sot për lexuesit vitias dhe atë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Megjithatë dua të njoftoj lexuesit se në sektorin e të rriturve dhe të fëmijëve mund të bëhet vetëm marrja dhe kthimi i librave, por fatkeqësisht nuk mund të shfrytëzohen hapësirat për lexim. Kjo si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit pandemik COVID-19 dhe në interes të shëndetit publik”, ka thënë Lala.

Ai tha se kusht tjetër është që lexuesit të cilët marrin libra të jenë me masa mbrojtëse si dorëza dhe maska dhe kërkoi nga ta që të mos grumbullohen, por të vijnë vetëm ata që marrin dhe kthejnë libra për lexim.

Komuna gjithashtu ka bërë të ditur se të dy bibliotekat do të punojnë me gjysmë orar nga e hëna deri të premten dhe atë prej orës 08:00 deri 12:00.

“Kjo gjë do të vlejë deri në një vendim tjetër që do të merret në koordinim me institucionet përgjegjëse`, njofton Komuna e Vitisë.