Foto: Komuna e Mitrovicës
Komuna e Mitrovicës vendos emrin e Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës në treg
Në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së kryer në tregun e Mitrovicës në mars të vitit 1999 kishte munguar emri i vogëlushes Elizabeta Hasani, e etnisë rome.
Për mospërfshirjen e emrit të Elizabetës kishte reaguar aktivisti i shoqërisë civile Shkëlzen Gashi.
Pas këtij reagimi zyrtarë të Komunës së Mitrovicës kishin dhënë sqarime për mospërfshirjen e emrit të 5-vjeçares, e vrarë nga një bombë që dyshohet se është hedhur nga forcat serbe.
Ndërsa sot kryetari i komunës Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, kanë zbuluar pllakën që përmban edhe emrin e vogëlushes së ndjerë, Elizabeta Hasani.
Pllaka e re përmban emrat e personave të vrarë dhe të plagosur në tregun e Mitrovicës më 13 mars 1999.
Kryetari Bahtiri tha se mospërfshirja e vogëlushes Elizabeta Hasani ka ndodhur pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve, thuhet në njoftimin e Komunës.
Po ashtu, kryetari Bahtiri theksoi se ka mbajtur premtimin që ia ka dhënë deputetit Kinolli për hulumtimin e duhur të këtij rasti, dhe pas marrjes së informacioneve të sakta, Komuna ka vendosur emrin e Elizabetës në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës.
Ndërkaq deputeti Albert Kinolli tha se ndihet i kënaqur që bashkë me kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Mujka kanë mbajtur premtimin e dhënë për vendosjen e emrit të Elizabeta Hasanit.
“Kjo gjë dëshmon që shoqëria kosovare është e hapur dhe demokratike, nuk bën dallime as në viktima, sepse viktimat duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, për shkak se viktima nuk njeh racë, as ngjyrë, komunitet, e as parti politike. Dhe këtë sot e kemi dëshmuar së bashku me kryetarin Bahtiri, ku jam i lumtur që drejtësia ka ardhur në vendin e vet, shpresoj që edhe dorasit herë do kurdo të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Kinolli.