Deputetja e PDK-së kërkon që emri i vajzës rome të përfshihet në pllakën përkujtimore të masakrës në tregun e Mitrovicës

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, e ka quajtur anashkalim dhe papërgjegjësi të individëve në institucione mungesën e emrit të vajzës rome Elizabeta Hasani në pllakën përkujtimore nga masakra e 13 marsit të vitit 1999.

Ajo gjithashtu shtoi se ky është një akti i papranueshëm dhe i patolerueshëm.

“Emri i Elizabeta Hasanit, vajzës rome të masakruar në qytetin tim, në aktin e tmerrshëm të 13 marsit 1999, nuk gjendet në pllakën përkujtimore të vendosur nga Komuna e Mitrovicës. Gabimet janë njerëzore, por harresa dhe anashkalimi assesi! Janë papërgjegjësi kryekëput e individëve në institucione, të cilët duhet të bartin gjithpërfshirje. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme!,” është shprehur Ismaili.

Ajo gjithashtu është shprehur e gatshme që të angazhohet për vënien e emrit të Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore pasi sipas saj mos shënjimi i krimeve na e rrezikon të ardhmen.

“Si anëtare në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, do të angazhohem që emri i Elizabeta Hasanit të jetë në pllakë, të jetë në memorien tonë kolektive, sepse ndryshe rrezikojmë të ardhmen si shoqëri, nga mos shënjimi i krimeve, e më pas, nga mosnjohja e tyre,”.ka shtuar tutje Ismaili.

Më 13 mars 2020, Në Tregun e gjelbër të Mitrovicës është ngritur një pllakë në kujtim të viktimave dhe të plagosurve të një sulmi me një granatë që dyshohet se është kryer nga forcat serbe plot 21 vite më parë.

7 persona, përfshirë burra, gra e një fëmijë, ishin vrarë e 128 janë plagosur në këtë masakër në mes të tregut.

Mirëpo, në pllakë janë gdhendur emrat e gjashtë të vrarëve – të gjithë shqiptarë, por jo edhe i një vogëlusheje të komunitetit rom.

Mungesa e emrit të Elizabeta Hasanit, 5-vjeçe, ka ngjallur reagimin e aktivistit të shoqërisë civile, Shkëlzen Gashi.

Nënkryetari i Mitrovicës flet rreth mungesës së emrit të romes 5-vjeçare në pllakën përkujtimore të masakrës në treg