Mbledhja e Komisionit për çështje të sigurisë, 1 mars 2022, Foto: KALLXO.com

Komisioni parlamentar miraton raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për infrastrukturën kritike

Komisioni parlamentar për çështje të sigurisë ka miratuar raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për infrastrukturën kritike.

Disa nga anëtarët e këtij Komisioni ngritën shqetësimin që Ligji për Infrastrukturën kritike nuk është zbatuar.

Mefail Bajqinovci, anëtar i Komisioni nga LVV-ja,  tha që në bazë të hulumtimeve që ka bërë grupi punues, Ligji për Infrastrukturë kritike nuk është duke u zbatuar.

“Komisioni i rekomandon Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij ligji, të hartohet plani i ri për zbatimin e këtij ligji”, tha ai.

Kurse, anëtari i Komisionit nga PDK-ja, Rashit Qalaj, tha se duhet sa më shpejtë të fillojë zbatimi i këtij ligji marrë parasysh situatën në botë.

“Ky raport duhet të filloj të jetësohet sa më shpejtë, për shkak që edhe nesër është vonë, marrë parasysh situatën kritike që është në botë. Kemi qenë të parët në rajon me infrastrukturë ligjore, por në fakt s’kemi bërë asgjë për zbatimin e tij”, tha ai.

Në vitin 2018, Republika e Kosovës ka miratuar Ligjin për infrastrukturën kritike, ligj ky që ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2019.

Ky ligj ka për qëllim për të ruajtur dhe mbrojtur infrastrukturën kritike kombëtare dhe evropiane, për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës, parandaluar incidentet dhe minimizuar dëmin potencial për infrastrukturën kritike, pasurinë e përgjithshme, humbjet ekonomike dhe sociale, siguruar stabilitetin e qeverisë dhe rritur qëndrueshmërinë.