Koka e prerë e një kafshe i dërgohet drejtoreshës së njërës nga organizatat që organizoi ‘Mirëdita, Dobar Dan’ në Serbi

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë të enjten urdhëroi ndalimin e festivalit të shkëmbimit kulturor ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ për arsye sigurie, vetëm disa orë para hapjes së planifikuar në mbrëmje.

Serbia detyroi ekipin e përbërë nga gazetarë/kameramanë nga Kosova dhe stafin organizativ të festivalit të kthehen mbrapsht në Kosovë, vetëm 25 kilometra para se të hynin në Beograd.

Sofija Todoroviq, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi, njëra nga organizatorët e festivalit, ka njoftuar në rrjetin social ‘X’  se një ditë pas anulimit të festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan’ , asaj i ka ardhur një paketë, në adresën e saj me kokën e prerë të një kafshe dhe një letër.

Ajo në postimin e saj është shprehur ‘se këtë e ka përkrahur shteti’.

“Policia ishte aty dhe hapi derën. Era e keqe na mashtroi, por koka e kafshës ishte e prerë në gjysmë. Ky është fundi i racës njerëzore dhe shteti (Serbia) qëndroi pas tyre. Mos harroni se kështu e mbrojnë Kosovën”- ka shkruar ajo në platformën ‘X’.

Siç raporton dhe media serbe ‘Danas’ letra e dërguar tek drejtoresha e YIHR-së është e firmosur nga organizata e ekstremit të djathtë, Patrulla Popullore.

Todoroviq dje kishte shkruar në ‘X’ se huliganët dhe shteti serb arritën të anulojnë festivalin dhe të kthejnë mbrapa autobusin nga Kosova.

YIHR pas anulimit të festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan’: Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Kushtetutën e Serbisë

Mediat serbe raportuan se të enjten pasdite para Dorcol Platz, ku do të mbahej festivali, u mblodhën një grup prej rreth 50 të rinjsh, duke penguar hyrjen në zonë dhe duke valëvitur flamuj serbë. Krahu rinor i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS e Re) organizoi protestën, duke kërkuar që festivali të ndalohej për arsye sigurie dhe duke pretenduar se është antikushtetues, njoftoi faqja e internetit e N1 TV.

Policia serbe ndaloi disa nga organizatorët e festivalit nga Kosova dhe ekipet e gazetarëve, duke përfshirë një ekip të BIRN nga Kosova, që të mbërrinin në festival me rrugë.

Policia serbe e kishte shoqëruar ekipin nga Kosova nga pika kufitare e Merdares pasi kishin hyrë në Serbi.

“Mirëdita, Dobar Dan” organizohet nga ‘Integra’, ‘Civic Initiatives’ dhe ‘Youth Initiative for Human Rights’ me qëllim promovimin e shkëmbimit kulturor dhe krijimin e “një tradite bashkëpunimi” që do të kontribuonte në një paqe të përhershme dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Që nga edicioni i tij i parë një dekadë më parë, festivali kulturor ‘Mirëdita, Dobar Dan!’, i cili mbledh së bashku artistë, aktivistë të të drejtave dhe opinionistë nga Kosova dhe Serbia, ka tërhequr pjesën e tij të vëmendjes nga e djathta serbe, por autoritetet në Beograd kryesisht e kanë lënë të kalojë pa koment.

Por festivali i këtij viti u shënua nga kritika të forta nga zyrtarët serbë. Ministri i Brendshëm Daçiç më herët në qershor bëri thirrje për anulimin e festivalit, ndërsa kryebashkiaku i Beogradit Aleksandar Sapiç tha se nuk do të lejohej të përdorej asnjë hapësirë ​​publike.  Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-shefi i inteligjencës, tha në prag të festivalit se “nëse shteti nuk përgjigjet, qytetarëve do t’u jepet hapësira për të thënë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”.

Kurti për ndalimin e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”: Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve