Koalicioni i drejtuar nga partia e Abazoviqit fiton zgjedhjet në Ulqin

Në Ulqin sot janë mbajtur zgjedhjet lokale.

Sipas rezultateve ende preliminare, zgjedhjet i ka fituar koalicioni “Për një fillim të ri”, i kryesuar nga partia e kandidatit të mandatuar për formimin e Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në një paraqitje para përkrahësve, Abazoviq ka thënë se koalicioni i formuar nga partia e tij – Aksioni i Bashkuar Reformist (ABR-URA), Socialdemokratët e Malit të Zi (SD), Partia Socialdemokrate (PSD), Alternativa Shqiptare (ASh) dhe Partia Demokratike (PD), ka fituar 43 për qind të votave.

Agjencia vijesti.me thotë se sipas rezultateve ende preliminare koalicioni i drejtuar nga partia e Abazoviqit ka fituar 14 ulëse në Kuvendin Komunal, koalicioni DPS dhe Partia Boshnjake 6, aq sa i ka fituar edhe DUA, Forca 5 dhe Mali i Zi demokratik 2.

Sipas Abazoviqit, kryetar i ri i Ulqinit do të jetë Omer Bajraktari.

Abazoviq ka festuar sonte në Ulqin me përkrahësit, të cilët kanë shkrepur shumë fishekzjarre në qytet.