Gerald Knaus. Foto: ESI

Knaus: Ministrat e Jashtëm të caktojnë takim të jashtëzakonshëm për Kosovën brenda javësh

Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ai e ka cilësuar si “fatale për ministrat e Jashtëm” nëse sot, më 17.05.2024, ata e injorojnë formulën e Ahtisaarit për paqe, rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe propozimin e Qeverisë së Kosovës për çështjen e Asociacionit të lidhur me anëtarësimin në Këshill.

Sipas tij, ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet të caktojnë datë të re për një takim të jashtëzakonshëm për Kosovën.

“Ministrat e Jashtëm në Strasburg nesër duhet ta caktojnë një datë të re për një takim të jashtëzakonshëm brenda javësh, që të votohet për aplikimin e Kosovës sapo të ecë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do t’i çonte sinjal të qartë Serbisë se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe ruan mbështetjen e plotë të demokracive evropiane”- ka shkruar ai në platformën X.

 

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës (KiE) do të mbajnë mbledhje sot më 17.05.2024.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e kësaj mbledhjeje.

Ky takim i ministrave do të mbahet në Strasburg dhe pritej se në të do të vulosej që Kosova të bëhej anëtarja e 47-të e KiE-së.

Kosovës nga disa shtete i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës që do të mbahet më 17.05.2024.