Foto: QKUK

Klinika e Neurologjisë bëhet me dhomë për pacientë me Sklerozë Multiple

Në Klinikën e Neurologjisë është përuruar dhoma për trajtimin e pacientëve me Sklerozë Multiple, investim nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe kompania “Roche”, e cila ka dhënë donacion për këtë qëllim.

Kryetari i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, Afrim Blyta, tha se aktivizimi i këtij shërbimi është rezultat i punës 10 vjeçare të një​ ekipi të jashtëzakonshëm​ profesionistësh në Klinikën e Neurologjisë.

Blyta, theksoi mes tjerash, se mjekët tanë janë të përgatitur për të trajtuar​ raste të tilla, sikurse mjekët në të gjithë botën.

Ndërkaq, Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Nexhmedin Shala, theksoi se dhoma e re do të shërbejë si spital ditor. Ai u shpreh i bindur që QKUK do ta ketë shumë shpejt edhe repartin e veçantë për trajtimin e personave me Sklerozë Multiple.

Kjo dhomë lëshohet në funksion në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Sklerozës Multiple, e cila është shënuar me 31 maj.