Vladimir Putin dhe Kim Jong Un (shtator 2023)

Kim ofron “mbështetje të plotë” për Rusinë në Ukrainë

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka premtuar mbështetje të plotë për luftën e Rusisë në Ukrainë, teksa u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Phenian më 19 qershor.

Takimi mes dy udhëheqësve synon zgjerimin e bashkëpunimit të shtetit të tyre në fushën e ekonomisë dhe atë ushtarake dhe shfaq një front të bashkuar kundër Uashingtonit.

Putin falënderoi Kimin për mbështetjen dhe tha se dy shtetet do të nënshkruajnë marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit teksa dy vendet “luftojnë kundër politikave imperialiste hegjemonie të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të tij kundër Federatës Ruse”.

Vizita e Putinit në Korenë e Veriut po realizohet në kohën kur janë rritur shqetësimet për një marrëveshje të armëve, përmes së cilës Koreja e Veriut i ofron Rusisë municionet që i duhen për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe transfereve të teknologjisë që mund të rrisin kërcënimin që paraqet programi i armëve bërthamore dhe i raketave të Phenianit.

Sipas mediave ruse, TASS dhe RIA Novosti, Putin tha se “një dokument i ri thelbësor do të krijojë bazën për lidhjet tona në terma afatgjatë”.

Koreja e Veriut është nën sanksione të ashpra ekonomike të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të raketave dhe armëve bërthamore të Phenianit. Po ashtu, Rusia po përballet me sanksione që ka vendosur Uashingtoni dhe partnerët e tij perëndimorë për shkak të agresionit të Moskës ndaj Ukrainës.

Kim tha po ashtu se raportet mes Moskës dhe Phenianit janë në një nivel të ri më të lartë, përtej raporteve që shtetet kanë pasur gjatë kohës sovjetike. Lideri verikorean po ashtu tha se shpreson se “miqësia mes dy shteteve do të bëhet më monolitike”, raportuan agjencitë shtetërore të lajmeve në Rusi.

Putin, që po realizon vizitën e parë në Korenë e Veriut në 24 vjet, falënderoi këtë shtet për “mbështetjen e pandryshueshme ndaj politikave ruse, përfshirë edhe në drejtimin ukrainas”.

Kim, sipas mediave ruse, citohet të ketë thënë se shteti i tij “mbështet plotësisht dhe është në solidaritet me Qeverinë ruse, ushtrinë dhe popullin që po kryen ‘operacionin e posaçëm ushtarak’ në Ukrainë për të mbrojtur sovranitetin, interesat e sigurisë dhe integritetin territorial”.

Megjithatë, ende është e paqartë se si mund të duhet mbështetje e Koresë së Veriut për Rusinë.

Ai po ashtu lavdëroi “rolin e rëndësishëm [të Rusisë] dhe misionin për të ruajtur stabilitetin strategjik dhe balancën në botë”.

“Situata në botë po përkeqësohet dhe po ndryshon me shpejtësi. Në këtë situatë ne synojmë të forcojmë ndërveprimin strategjik me Rusinë”, tha ai.

Para takimit, Kim mirëpriti Putinin përmes një ceremonie në sheshin kryesor të Phenianit, teksa turma të mëdha njerëzish dolën në rrugë për të mirëpritur Putinin, duke valëvitur flamuj të të dyja shteteve.

Në këtë vizitë, Putin po shoqërohet nga disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë zëvendëskryeministrin Denis Mantrurov, ministrin e Mbrojtjes, Andrei Belousov dhe atë të Jashtëm, Sergey Lavrov.

Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë akuzuar Veriun se po i ofron Rusisë artileri, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake që Moska t’i përdorë në Ukrainë, në këmbim të ofrimit të teknologjisë ushtarake. Si Pheniani, ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat. Transfere të tilla armëve do të përbënin shkelje të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat më herët Rusia i ka mbështetur./REL