Kërkohet punësim më i madh për personat me nevoja të veçanta

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me nevoja të veçanta, sot është mbajt “Panairi i karrierës, takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit”.

Përfaqësuesja e ‘GIZ Kosovo’, Kumrije Kelmendi-Aliu tha se programi ‘Rinia, punësimi dhe arsimimi profesional’, synim kryesor e ka ngritjen e punësimit të të rinjve në Kosovë.

“Programi rinia, punësimi dhe aftësimi profesional e ka për qëllim rritjen e punësimit të të rinjve. 30 të rinj janë duke u trajnuar nga shoqata Down Syndrome Kosova. Ky aktivitet i pari që është na bënë shumë krenarë”, tha ajo.

Ndërsa Kosovare Bunjaku nga Down Syndrome Kosova kërkoi të drejta të barabarta për personat me nevoja të veçanta.

”Personat me sindromën down duhet të kenë trajtim të barabartë në shoqëri dhe është një synim i tillë që na ka shtyrë të avokojmë për të drejtat e tyre. Sot do të avokojnë vetë anëtarët e shoqatës tonë sepse ata janë zemra e krejt këtij eventi”, tha ajo.

Jehona Rexha, përfaqësuese nga Agjencia e punësimit në Kosovë ju bëri thirrje të gjithë personave me nevoja të veçanta që të regjistrohen në zyrat e punësimit.

“Kudo që ka persona me nevoja të veçanta të vinë të regjistrohen në zyrat e punësimit dhe i gjithë trajnimi do të jetë falas dhe në fund personat me nevoja të veçanta do të marrin certifikatë e cila do të ju mundësoj pastaj për një gjetje të punës më të mirë”, tha ajo.

Gent Bakija nga korporata Rugova, e cila ka të punësuar persona me nevoja të veçanta, tha se është kënaqësi që punoj me persona të cilët, sipas tij janë të përgjegjshëm në punën që po e bëjnë.

“E kemi Besnikun që punon tek ne dhe është ndër të parët që vjen në punë. Është kënaqësi të punosh me persona të tillë”, tha ai.

Aldi Hoxha anëtar i Down Syndrome Kosova, i cili është i punësuar në korporatën Rugova u shpreh se i pëlqen të punojë dhe të jetë i pavarur financiarisht.

“Po më pëlqen shumë të punoj, kënaqem shumë”, u shpreh ai.

Ndërsa njëri nga pjesëmarrësit në këtë ngjarje – Burimi, tha se asnjë person me sindromën Down nuk është i punësuar në institucionet shtetërore.

“I përshëndes të gjitha organizatat, prindërit që po marrin pjesë në këtë ngjarje, por fatkeqësisht nuk mund të përshëndes institucionet shtetërore. Kërkoj nga ju që të përgjigjeni në pyetjen se sa persona me nevoja të veçanta janë punësuar në institucionet shtetërore pasi në punët private po shihet rezultati, a ka të punësuar, ju që e keni bërë ligjin tregoni se sa po e respektoni ligjin?”, tha ai.

Jehona Rexha, përfaqësuese nga Agjencia e punësimit në Kosovë nuk kishte përgjigje lidhur më ketë çështje.