Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në Ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, kërkohet gjithëpërfshirja e tyre në shoqëri

Dita Ndërkombëtare e Personave me aftësi të kufizuara është shënuar sot në Kosovë ku edhe është bërë thirrje për gjithëpërfshirje të këtyre persona në shoqëri.

Për shënimin e kësaj ditë, me moton “Mundësi të barabarta për të gjithë”, është mbajtur konferenca vjetore, e organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Projektin “Kosova Gjithëpërfshirëse” i cili mbështetet nga zyra e BE-së.

Qëllimi i kësaj konference, ishte prezantimi i progresit të arritur në realizimin e ‘Kalendarit të Aktiviteteve për vitin 2022 – Vit i personave me nevoja të veçanta”.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të kësaj dite ka pritur në takim Komitetin Paraolimpik të Kosovës dhe organizatën e Studentëve Handicap.

Osmani ka shprehur mbështetje për këtë kategori dhe ka potencuar se gjithëpërshirja e tyre, punësimi dhe jeta e dinjitetshme janë objektiv i përditshëm.

“Osmanit, kujdesi institucional ndaj kësaj kategorie nuk duhet të fokusohet në një ditë të vetme, por gjatë gjithë vitit, prandaj këtë vit ajo do të ndaj 100 mijë euro shtesë subvencione vetëm për organizatat e personave me aftësi të veçanta’, thuhet në njoftim.

Ajo ka shprehur gatishmërinë t`i mbështes sportistët paraolimpik, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Paralimpike në Paris më 2024.

Për më tepër, Osmani ka thënë se qasja në të drejtat dhe liritë themelore, për personat me nevoja të veçanta, duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve.

Sipas Misonit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në 20 vjetorin e kësaj dite, temë është gjetja e ‘zgjidhjeve transformuese’ për të siguruar zhvillim gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.

“Për të siguruar më mirë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, UNMIK-u ka mbështetur disa programe në Kosovë. Aktualisht është duke punuar me HANDIKOS-in në një fushatë ndërgjegjësimi për të promovuar aksesin për personat me aftësi të kufizuara në bashkëpunim me autoritetet komunale”- thuhet në komunikatën e UNMIK.

Ndërsa, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se fëmijët me nevoja të veçanta janë në mesin e personave që pranojnë më së paku burime dhe shërbime.

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, le të bashkojmë duart për ta bërë Kosovën një shoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët”- ka shkruar ai në Tëitter.

Zyra për Qeverisje të Mirë-Zyra e Kryeministrit pati shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me nevoja të veçanta.

Në bazë të saj, të gjitha dikasteret dhe strukturat e ministrive të punojnë gjatë vitit 2022 në të gjitha specifikat si arsim, shëndetësi, punësim për personat me nevoja të veçanta.

26 persona me aftësi të veçanta janë punësuar nga projekti i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ky projekt i nisur 2 vite më parë ka planifikuar që të përfshijë rreth 60 përfitues dhe që rreth 20 persona me aftësi të veçanta të kenë punësim të qëndrueshëm.