Ilustrim

Komuna e Kosovës që ka arritur të punësojë 11 persona me aftësi të kufizuara

Personat me aftësi të kufizuara janë grupi më e diskriminuar i shoqërisë. Këtyre personave u mohohen të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën në punësim.

Në Kosovë nuk ka statistika të sakta të numrit të personave me aftësi të kufizuara.

Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që garanton të drejtat e personave me aftësi të kufizuara pa diskriminim, Kuvendi ka miratuar një ligj të veçantë që për qëllim ka avancimin e pozitës së tyre në shoqëri.

Komuna mbi 50 kilometra larg kryeqytetit është një shembull i punësimit të personave me aftësi të kufizuara.

Të dhënat nga Komuna e Skenderajt tregojnë se lista e personave me aftësi të kufizuara është e gjatë, ndryshe nga institucionet tjera. Kjo komunë në përgjithësi ka të punësuar në sektorin publik 1,300 persona.

Në institucionet e Komunës së Skenderajt janë të angazhuar aktualisht 11 persona me aftësi të kufizuara. Gjithashtu një person me karrocë është zgjedhur asamblist në Kuvendin komunal të Skenderajt nga zgjedhjet e fundit lokale në 2021.

Në objektin e Komunës është e punësuar një grua si asistente administrative.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj janë të punësuar 6 persona me aftësi të kufizuara në pozitat: Katotekë e RTG, Infermiere në Intervencë, vozitës, Infermierë në MF, Lavatore dhe në Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH).

Në ndërmarrjen publike lokale e cila merret me menaxhimin e mbeturinave “Eko Natyra” janë të punësuar katër persona me afat të përkohshëm bazuar në masën e qeverisë 1.6.

Mentor Mehmeti, është asamblist nga radhët e PDK-së i cili është në karrocë. Mehmeti përmes këtij mandati ngritë para qeverisjes së Fadil Nurës problemet me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe duke ndihmuar qasjen e tyre më të lehtë në hapësirat publike.

Për Mentor Mehmetin nuk është e vështirë qasja për të hyrë në objektin e Komunës së Skenderajt, fal infrastrukturës që gëzon ky objekt i përuruar dhjetë vjet më parë.

“Objekti i Komunës fatmirësisht në brendi të tij është i qasshëm në përgjithësi edhe me ashensor. Edhe në asamble po ashtu, vetëm tek foltorja, por gati nuk e shfrytëzojmë foltoren veç në raste solemne, nga vendi kemi mikrofona. Këto të tjerat në përgjithësi janë të qasshme. Objekti ka dy ashensorë, ka hapësirë të mjaftueshme përreth tetë persona, unë mundem me i shfrytëzu të dytë” – u shpreh ai për KALLXO.com.

“Janë dy pjerrina, por fatkeqësisht janë goxha të pjerrëta që është më vështirë, më lehtë do të ishte nëse do të ishin pak më të ultë. Kanë qenë shenjëzimet në parkingje, një kompani ka punu së fundmi aty, do të shikojë nëse janë ende. Shenjëzime të tjera për personat me aftësi të kufizuara nuk kam parë, tualete nuk ka të posaçme” – shton ai.

Mehmeti tregon çështjet që ka ngritur në asamblenë e Skenderajt.

Ndër to që ai përmend është t’iu mundësohet qasje nga vendkalimet e rrugës për në trotuar. Për problematikat e ngritura, asamblisti i PDK-së thotë se ka marrë sinjale pozitive nga kryetari i cili vjen po ashtu nga PDK.

“Kam ngritur shumë çështje, disa prej tyre janë, qasja në trotuare dhe në rrugë, më kanë premtu që shumë shpejtë ka me u rregullu, se ka qenë më parë një projekt për mënjanimin të qasjes prej trotuarit në rrugë nga janë vendkalimet, por kompania nuk ka bërë siç duhet edhe në shumë vende, kam premtim prej kryetarit që ka me u kujdes që të gjitha vendkalimet të rregullohet ajo pjerrina për qasje. Tjetra që kam ngritur është qasja në Shtëpinë e Kulturës. Në katin e parë ka qasje, por në katin e dytë jo” – thotë ai.

Komuna e Skenderajt

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë në botë. Sa i përket Kosovës, kjo organizatë thotë se janë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që obligon çdo institucion publik dhe privat që me kushte të përshtatshme të punësojë një PAK në çdo 50 punëtorë. Ligji për aftësimin, ri-aftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara ka për qëllim të avancojë pozitën socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas nenit 12 pika 3 të këtij ligji, punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguaj në Buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 % të shumës së pagës minimale, por përkundër kësaj, kjo pikë e këtij neni nuk gjen zbatim në praktikë.

Duke qenë se ligji garanton ri-aftësim profesional për PAK, në nëntor të vitit të kaluar nga masa 1.6. Ministria e Financave, Punës dhe Transferit kanë ndarë 5 milionë euro për këtë qëllim ku janë përfshirë 243 persona me tendencë të rritjes.

Të pakta janë institucionet, si publike e po ashtu edhe private, që punësojnë një person me aftësi të kufizuara në 50 punëtorë.

Republika e Kosovës ka miratuar norma ligjore përmes të cilave përcaktohet, definohet dhe avancohet pozita e personave me aftësi të kufizuara. Kuadri ligjor vendor dhe ndërkombëtarë njeh dhe rregullon të drejtat e këtij komuniteti për punë dhe punësim por sfidë mbetet zbatimi i këtyre akteve si dhe mungesa e një qasjeje strategjike nacionale që do të nxiste punësimin e kësaj kategorie të shoqërisë përmes mbështetjes së punëdhënësve që punësojnë persona me aftësi të kufizuara.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar një strategji nacionale për të drejtat e PAK 2013/2023 si dhe planin e veprimit për zbatimin e kësaj strategjie.

Qëllimi i kësaj strategjie është që të promovojë të mbrojë dhe të sigurojë zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga të gjithë personat me aftësi të kufizuara dhe të kontribuoj në respektimin e dinjitetit të tyre të qenësishëm. Kjo strategji nuk adreson në mënyrë të veçantë aftësimin, ri-aftësimin profesional dhe punësimin e PAK, por e trajton në kuadër të politikave sociale.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi ATRC, IKS dhe D4D dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian’.