Platforma “Superpuna” zgjeron grupmoshën, përfshihen edhe personat deri në moshën 29 vjeç

Personat nga 18 deri në 29 vjeç tashmë do të përfshihen në skemën e platformës “Superpuna”.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në fjalën hyrëse, Kurti deklaroi se platforma “Superpuna” për bizneset e bëri më të lehtë punësimin e të rinjve sepse Qeveria subvencionoi pagën prej 264 euro për gjashtë muaj me radhë.

“Punë dhe drejtësi është togfjalëshi që është dëgjuar në paraqitjet tona, është baza ë të gjitha kritikave të zbatuara deri më tani. Para një viti prezantuam për herë të parë platformën Superpuna, përmes së cilës synuam punësimin  garantuar të rinjve të grup moshën 18 deri 25 vjeç. Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë punësimin e të rinjve sepse Qeveria subvencionoi pagën prej 264 euro për gjashtë muaj me radhë”- u shpreh Kurti.

“Kjo platformë ka arritur që të bëjë ndërmjetësimin e suksesshëm të punësimit të 9394 të rejave dhe të rinjve, prej tyre, 4635 persona e kanë përfunduar gjashtëmujorin e paraparë përmes platformës Superpuna”- theksoi kryeministri.

Sipas tij, 67% të punëtorëve të ndërmjetësuar përmes “Superpunës” kanë vazhduar të qëndrojnë aktivë në tregun e punës.

Ai tha se duke marrë parasysh ndikimin e platformës, kanë vendosur që të zgjerojnë grupmoshën nga 18 deri në 25 sa ka qenë në vitin e kaluar, në 18 deri në 29 vjeç.

“Superpuna ka ndikuar që të rinjtë të zbatojnë kapacitetin e tyre. Sot jam i lumtur që disa nga përfituesit i kemi prezent me jau dhënë një lajm të mirë. Duke marrë parasysh ndikimin e platformës, keni vendosur të zgjerojmë grup moshën, do të zgjerojmë nga 18-29 vjeç”- ka thënë Kurti.

Ministri Murati tha se gjatë një viti janë munduar që të adresojnë të gjitha sfidat që kanë hasur, teksa shtoi se me zgjerimin e grupmoshës, kriteret do të jenë të njëjta.

“Normalisht që sa i përket ndryshimeve do të vazhdojnë kushtet dhe kriteret e njëjta, mënyra e subvencionimit e kohëzgjatja janë njëjtë”- tha Murati.

“Ka vende të lira të punës, nëse nuk gaboj ka diku mbi 4 mijë vende të lira mirëpo tani me zgjerimin e grup moshës i ftoj bizneset të hapin vende të lira pune”- përfundoi ai.

Platforma “Superpuna” është lansuar më 6 shkurt 2023.
Superpuna është platformë punësimi e krijuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, e cila do të lehtësojë qasjen e të rinjve në tregun e punës dhe do të ndihmojë bizneset në angazhimin e punëtorëve të rinj.