Hashim Thaçi - Foto: Denis Sllovinja | KALLXO.com

Kërkesa për vizitën në Kosovë, flet avokati i Thaçit

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetiq ka reaguar lidhur me mospjesëmarrjen e Hashim Thaçit në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Haxhi Thaçi sot më 18.03.2025 në Burojë të Skenderajt.

Avokati Misetiq, ka thënë se kërkesa për të qenë pjesë e ceremonisë së varrimit është bërë më 17.03.2025 në orën 14:00.

Mirëpo, pavarësisht kërkesës, avokati Misetiq njofton se Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

“Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”- ka shkruar Misetiq në rrejtin X.

KALLXO.com ka raportuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë deklaruar se “për mometin” gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me kërkesën për vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi më 16.03.2025.

Specialja thotë se kërkesat dhe vendimet për të paraburgosurit janë konfidenciale. Gjykata më tej thekson se vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit që të ndodhin, mund të marrin kohë që të koordinohen dhe të organizohen.

“Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale” thekson Gjykata Speciale në një njoftim.

“Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë.” – thuhet më tej në njoftim.

Ditë më parë, Gjykata Speciale e ka lejuar Hashim Thaçin ta vizitojë babanë e tij në QKUK.

Pasi ka përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi është kthyer në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Pas një sëmundjeje, më 16.03.2025 ka vdekur Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ceremonia e varrimi të të ndjerit Haxhi Thaçi po mbahet të martën nga ora ora 15:00.

Komuna e Skenderajt ka organizuar edhe mbledhje komemorative për nderë të babit të ish-presidentit Thaçi.