Këndet Amerikane në Kosovë prodhojnë maska mbrojtëse për qendrat lokale shëndetësore

Këndet Amerikane të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, kanë filluar prodhimin e maskave mbrojtëse, për qendrat lokale shëndetësore në Kosovë.

Sipas një komunikate të Ambasadës amerikane, këndi amerikan në Prizren është duke prodhuar 100 maska për fytyrë, duke përdorur printerin e tyre 3D dhe teknologjinë e lapsit 3D për t’i dhuruar ato në qendrat shëndetësore lokale në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë së Komunës.

“Falë mbështetjes nga profesori inxhinierik i Universitetit të Prishtinës Shaban Buza, ata prodhuan me sukses sasinë e parë të maskave praktike, të cilësisë  së lartë. Që nga 8 prilli, ata kanë prodhuar 50 maska, duke i dhuruar ato në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Emergjencës, si në Prizren ashtu edhe klinikave private, dentistëve dhe teknikëve laboratorik”, thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane në Kosovës.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se Këndi Amerikan në Prishtinë ka huazuar printerin 3D, organizatës ‘BONEVET’, për të mbështetur prodhimin e maskave për fytyrë për punëtorët e shëndetësisë.

“Ambasada në Prishtinë falënderon të gjithë partnerët e saj, stafin e tyre dhe të gjithë vullnetarët e Këndeve Amerikane dhe gjetiu, të cilët janë duke punuar shumë për të luftuar COVID-19. Në veçanti, dëshirojmë të shprehim mirënjohje për Besart Osmani, Durim Kolukaj”, thuhet në fund të komunikatës së Ambasadës.