Karameta: Nuk di ndonjë rast që ndokush ka humbur vendin e punës për deklarim të parregullsive

Burim Karameta, deputet nga radhët e partisë Guxo, thotë se nuk di ndonjë rast që ndokush mund të humbë vendin e punës nga identifikimi i ndonjë parregullsie ku punon, të paktën jo në shëndetësi.

Karameta në emisionin “Kallxo Përnime” thotë se rastet kur ka tentim të heshten mjekët janë sporadike, derisa angazhimi i avokatit për përfaqësim të disa prej tyre është pasi këta të fundit nuk kanë njohuri në fushën e drejtësisë.

“Rastet kur tentohet të heshten mjekët mund të jenë sporadike dhe unë nuk pajtohem asnjëherë me to. Nuk mendoj se qysh prej tash mund të themi se ka ndonjë dhunë apo presion. Mendoj se angazhimi i avokatit është bërë pasi e vetmja mangësi e njohurive tona si mjekë është fusha juridike”, ka thënë Karameta.

Lidhur me deklarimet se mjekët kanë frikë të flasin publikisht për parregullsitë për konkursin në pozitat e drejtorëve të klinikave të ShSKUK-së, ai tha se nuk mendon që kjo ekziston.