Josep Borrell - Foto: Facebook/ Josep Borrell

Josep Borrell flet para vizitës në Kosovë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, njëherësh nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell, do të qëndrojë në Kosovë me 30 dhe 31 janar, si dhe në Serbi nga 31 janar deri më 1 shkurt.

Para vizitës Borrell, sipas një deklarate të BE-së, ka thënë se vizita e tij e parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor tregon përkushtimin ndaj perspektivës së BE për rajonin, stabilitetin e tij, sigurinë dhe prosperitetin.

“Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë mandatit tim, duke pasur parasysh vendosmërinë time personale për të avancuar me dialogun e lehtësuar nga BE, kam dashur të vizitojë së pari Kosovën dhe Serbinë në rajon. Ka shumë punë të rëndësishme përpara duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës Gjatë vizitës time, mezi pres të njoh Kosovën dhe Serbinë dhe të takoj njerëzit e tyre”, ka thënë Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me liderët politikë, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, përfaqësues të partive si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Sipas komunikatës, Josep Borrell do të nisë një projekt të financuar nga BE për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Kosovë, si dhe do të vizitojë Prizrenin.

Edhe gjatë vizitës në Serbi, Borrell do të takohet me liderë politikë përfshirë Presidentin Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të partive si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Josep Borrell do të vizitojë gjithashtu zona përreth një parku kombëtar serb.