Jasharaj: Qeveria të veprojë që mos të përsëritet viti 2022

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti që t’i plotësojë kërkesat dhe mos të lejojë që të përsëritet viti 2022.

Ai ka thënë se ekzekutivi kosovar ka injoruar dialogun me sindikatat.

“Kemi bërë shumë angazhime dhe kemi pasur gatishmëri që shqetësimet tona t’i bisedojmë me Qeverinë, por Qeveria vazhdon t’i ikë dialogut prandaj jemi këtu duke kërkuar që të realizohen kërkesat tona që t’i parandalojë veprimet tona sindikale” – ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë tutje se veprimet e mëhershme sindikale nuk kanë qenë ato që kanë dashur.

“I drejtohem Qeverisë që të veprojë e mos të na përsëritet viti 2022 kur filluam me protesta modeste, pastaj me protesta masive dhe shkaku i heshtjes së tyre na u dashtë edhe veprime sindikale që asnjëherë nuk i kemi dashur. Faleminderit, bashkë dhe veç bashkë!” – ka deklaruar Rrahman Jasharaj.

Ndërsa, para protestuesve disa kërkesa për Qeverinë i ka lexuar Arif Elezaj.

“Duam dialog social për realizimin e kërkesave tona, kërkojnë nënshkrimin e aneks-kontratës kolektive, Qeveria t’i respektojë pensionistët sepse ju edukuan edhe juve edhe familjet tuaja, kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës në institucionet arsimore, duam funksionalizimin e keshillit ekonomiko-social, Qeveria të sigurojë buxhet për zbatimin e kontratës kolektive pa pasur nevojë që të shkohet në gjykata. Qeveri zbato vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagesë” – ka thënë ai.