Izraeli uron Pavarësinë, pret thellim të marrëdhënieve mes dy vendeve

Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit, ka uruar 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Ministria e Punëve të Jashtme në Izrael thotë se presin thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në vitet në vijim.

“Urime 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presim thellimin e marrëdhënieve tona në vitet në vijim”- shkruan ministria.

Në 15 vjet shtetësi, Republika e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Shteti i fundit në listë që ka njohur pavarësinë e vendit është Izraeli, më 1 shkurt të vitit 2021.

Njohja nga ky vend erdhi nga marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020.

Kjo marrëveshje bëri bujë, pasi ndonëse solli njohjen nga Izraeli, për një vit stopoi aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sipas moratoriumit të rënë dakord mes palëve.

Për Serbinë, thuhej se “do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ndërkaq, sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.