Itali, pesë punëtorë të mirëmbajtjes të vdekur si pasojë e goditjes nga treni 

Punëtorët po i riparonin shinat gjatë natës, u përplasën nga një tren që udhëtonte me shpejtësi të madhe, thotë institucioni i Hekurudhave shtetërore të Italisë. Kryebashkiaku lokal ka thënë se aksidenti mund të ketë ardhur si pasojë e “një gabimi komunikimi”.

Një tren ka goditur dhe i ka vrarë pesë punëtorë hekurudhash gjatë natës së të enjtes, ndërkohë që punëtorët po i ndërronin disa shina në linjën Milano-Torino, ka thënë pronari i rrjetit shtetëror hekurudhor Rete Ferroviaria Italiana (RFI).

Treni po udhëtonte me rreth 160 km/h, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, duke cituar policinë.

Pesë punëtorët po kryenin punë mirëmbajtjeje në shina jashtë stacionit të Brandizzo në periferi të qytetit verior të Torinos, kur u goditën nga një tren që transportonte vagona rreth mesnatës.

Dy nga kolegët e tyre, përfshirë kryepunëtorin, arritën ta shmangnin trenin e mallrave dhe nuk u lënduan, raportoi ANSA.

Shoferi i trenit ishte në gjendje shoku, por përndryshe i palënduar, sipas agjencisë.

Paolo Bodoni, kryebashkiaku i Brandizzo, i tha agjencisë së lajmeve AGI se aksidenti ishte “një tragjedi e madhe”.

“Nuk mund të përjashtohet që mund të ketë pasur një gabim komunikimi”, tha ai duke shtuar se një hetim është duke u zhvilluar.

Në një deklaratë, RFI, e cila menaxhon infrastrukturën hekurudhore italiane, ofroi “ngushëllimet” për familjet e viktimave./DW