Ismail Kadare. Foto: Facebook

Ismail Kadare nderohet me titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit” nga Franca

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare është vlerësuar me titull “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në lidhje me këtë nderim është ndarë i kënaqur edhe presidenti kosovar, Hashim Thaçi.

Ky i fundit me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se nderimi i Kadaresë është vlerësim i lartë ndërkombëtar.

“Nderimi i shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare me titullin e lartë shtetëror “Oficer i Madh i Legjionit” nga Presidenti francez Emmanuel Macron është vlerësim i lartë ndërkombëtar për krijimtarinë e jashtëzakonshme të gjeniut të letrave shqipe, që me vite është pretendent për Çmimin Nobel për letërsi. Shkrimtarit Ismail Kadare, që me dinjitet e përfaqëson letërsinë shqipe në rang botëror, i shprehim urimet më të sinqerta, ndërsa Presidentit Macron falënderim dhe konsideratë të veçantë”, ka shkruar Thaçi.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi për titullin e ri të Kadaresë.

Kurse, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se ky është një lajm i mirë për shqiptarët.

“Shkrimtari ynë,Ismail Kadare është vlerësuar nga @EmmanuelMacron me titullin më të lartë shtetëror, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Ne e fillojmë si komb dekadën e 3 të shekullit 21 me një mirënjohje të madhe për shkrimtarin tonë më të famshëm. Urime 2020”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social Tëitter.