Ishulli Tonga, Foto: BBC

Ishulli Tonga regjistron rastin e parë të coronavirusit që nga fillimi i pandemisë

Tonganët kanë nxituar të vaksinohen kundër coronavirusit pasi vendi ishullor i Paqësorit konfirmoi rastin e parë me COVID-19 të premten, raporton BBC. 

Infeksioni u zbulua në një person plotësisht të vaksinuar, i cili kishte mbërritur me një fluturim riatdhesimi nga Zelanda e Re.

Kryeministri i Tongës Pohiva Tu’i’onetoa paralajmëroi se banorët në ishullin kryesor të Tongatapu përballen me një bllokim të mundshëm javën e ardhshme.

Tonga ishte një nga vendet e fundit që nuk kishte raportuar infeksione me COVID-19

Mbi 100,000 njerëz jetojnë në kombin ishull, që ndodhet në veri-perëndim të Zelandës së Re.

Vetëm një e treta e popullsisë së Tongës është vaksinuar plotësisht. Por koordinatori kombëtar i imunizimit Afu Tei i tha agjencisë së lajmeve AFP se mijëra njerëz ishin paraqitur në qendrat e vaksinimit për të marrë injektimet e tyre.