Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla | Foto: LSA

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla arrestohet në Romë

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është arrestuar të premten në Romë të Italisë.

Arrestimi i ish-kryeprokurorit erdhi pas një urdhri që Interpol Tirana kishte lëshuar për të, pas dënimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit me dy vite burg.

Ish prokurorit të përgjithshëm veç vendimit të fajësisë i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për pesë vitet e ardhshme, ndërsa i janë konfiskuar disa pasuri mes tyre toka dhe një apartament.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli.

Ai u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor të 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Akuzat u rrudhën në 2021, ku SPAK njoftoi  më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën do të vuaj dy vite burg./ Top Channel