Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Alma Muça gjatë seancës dëgjimore në KPK.

Vetingu i Alma Muçës zbulon se pezullimi i saj nga Llalla ishte mediatik, por jo zyrtar

Në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme vijon ende të qëndrojë njoftimi për pezullimin nga detyra të Alma Muçës, ish-drejtuese e Drejtorisë Gjyqësore pranë kësaj prokurorie. Muça sipas njoftimit u pezullua njëkohësisht me prokurorin Artur Selmani, pasi ky i fundit gjatë përfaqësimit të akuzës në Gjykatën e Lartë vendosi lehtësimin drastik të  akuzave për tre të akuzuar për një vrasje të trefishtë në Vlorë.

Në njoftim thuhet se Muça ishte në dijeni të qëndrimit të prokurorit Selmani për zbutjen drastike të akuzave. Por në seancën dëgjimore që u zhvillua të enjten pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Alma Muçën, rezultoi se përtej njoftimit publik, Prokurori i Përgjithshëm i kohës,  Adriatik Llalla nuk kishte marrë asnjëherë zyrtarisht masë administrative ndaj saj.

Ndërsa pati një relacion pa probleme sa i përket pasurisë, seanca dëgjimore ndaj Alma Muçës u fokusua kryesisht te ky moment i karrierës së saj. Relatorja Valbona Sanxhaktari tha se ndaj Muçës kishte pasur në lidhje me këtë çështje një sërë artikujsh në media dhe një denoncim pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Relacioni nuk vuri në dukje ndonjë shkelje të prokurores, megjithëse anëtarët e treshes që gjykoi çështjen, Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Valbona Sanxhaktari si dhe vëzhguesja ndërkombëtare Mia Roessingh bënë një sërë pyetjesh dhe kërkuan sqarime shtesë në lidhje me qëndrimin e prokurores rreth përfaqësimit të akuzës në Gjykatën e Lartë mbi këtë çështje.

Muça tha se ligji i ri për organizimin e prokurorisë nuk i lejonte asaj si drejtuese asnjë ndërhyrje në qëndrimin e prokurorit në seancë, ndërsa shpjegoi se asaj nuk i ishte kërkuar mendim me shkrim për këtë çështje.

Debati në seancë

Alma Muça e ka filluar karrierën si prokurore në Dibër në fillim të viteve 2000, për të vazhduar më pas në Prokurorinë e Tiranës dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Ajo iu nënshtrua vetingut për të tre kriteret.

Relatorja vuri në dukje se nuk ishte gjetur thuajse asnjë problem në lidhje me pasurinë e prokurores, kryesisht e trashëguar nga babai i saj, i ndjeri Selim Muça, i cili drejtoi për disa kohë Komunitetin Musliman Shqiptar. Sanxhaktari vuri në dukje se kishte një paqartësi në lidhje me kohën e shitjes së një shtëpie në Dibër nga babai i subjektit, por shtoi se ajo kishte dhënë shpjegime dhe se këto do të konsideroheshin në vendim.

Relatoja tha se pasuritë kryesore të prokurores ishin një llogari kursimi 5 milionë lekë me burim pagën ndër vite, dy apartamente të trashëguara nga babai dhe një makinë e blerë kryesisht me një hua, më pas të falur po nga babai.

Gjatë seancës u tha se ishte provuar që babai i prokurores kishte pasur mundësitë për të dhënë huanë dhe dhuruar apartamentet, kryesisht për shkak të kthimit të pronave të familjes dhe punës në drejtimin e KMSH-së.

Nga relacioni po ashtu rezultoi se Muça nuk kishte probleme me figurën. DSIK kishte sjellë një raport që e cilësonte atë të përshtatshme. Ngjashëm Prokuroria e Përgjithshme kishte bërë një vlerësim pozitiv profesional. Megjithatë, Sanxhaktari vuri në dukje se në të dy këto kritere KPK kishte bërë hetime të thelluara dhe ishte fokusuar kryesisht te roli i prokurores si drejtuese e Drejtorisë Gjyqësore në lidhje me përfaqësimin e akuzës ndaj tre të akuzuarve për vrasje të trefishtë në Vlorë në Gjykatën e Lartë.

Sanxhaktari tha se veç një sërë publikimesh në media, njoftimit në faqen e Prokurorisë së Përgjithshme për pezullimin dhe hetimet e hapura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj Muçës kishte edhe një denoncim pranë ONM-së po në lidhje me këtë çështje. Gjatë leximit të relacionit nuk u tha nëse ishte arritur ndonjë përfundim mbi sjelljen e prokurores dhe nëse ishte cenuar integriteti apo profesionalizmi i saj.

Sanxhaktari citoi faktin se çështja penale e nisur pas kallëzimit të të afërmve të viktimave ishte mbyllur, duke mos u filluar nga ana e prokurorisë, ndërsa tha se Muça kishte paraqitur pretendimet e saj duke sqaruar se “ligji nuk i lejonte asaj në rolin e drejtueses të ndërhynte në qëndrimin e prokurorit të çështjes”.

Muça mbajti të njëjtin qëndrim në seancë. E pyetur nga anëtarja Brunilda Bekteshi dhe relatorja Sanxhaktari nëse ajo si drejtuese e njësisë, e cila merrej me organizimin e punës kishte pasur mundësi të ndikonte në çështje, ajo ricitoi qëndrimin e mbajtur më herët. Muça pranoi sidoqoftë se kishte biseduar me prokurorin e çështjes si kolegë, por tha se edhe nëse do i ishte kërkuar mendim me shkrim, udhëzimi i saj do kishte pasur vetëm vlerë këshille dhe nuk ishte detyrues për prokurorin e çështjes.

Vëzhguesja ndërkombëtare po ashtu bëri dy pyetje mbi këtë çështje. Ajo kërkoi të dinte nga prokurorja nëse kishte pasur mundësi dhe nëse e kishte raportuar këtë çështje te Prokurori i Përgjithshëm në momentin që kishte marrë dijeni dhe se çfarë dinte Muça rreth vendimit për pezullimin e saj nga detyra.

Muça tha se nuk kishte bërë raportim, pasi nuk e njihte dosjen dhe nuk ishte informuar për të zyrtarisht dhe shtoi se ajo nuk kishte komunikuar me ish- prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ritheksoi se në rolin e saj si drejtuese, nuk mund të ndikonte në vendimin e prokurorit të çështjes. Ajo tha se ishte e habitur që ndërsa kishte një njoftim publik për pezullimin e saj, në të vërtetë ky pezullim nuk kishte ndodhur dhe nuk gjendej asnjë urdhër i tillë në arkivat e Prokurorisë së Përgjithshme.