Shqipëri: Ish-Kryeprokurori punëson lobistë në SHBA për të shpëtuar nga ‘lista e zezë’

Ish -Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla – asetet e të cilit janë nën sekuestro pasi është nën hetim për pastrim parash, ka punësuar dy lobistë nga Nju Jorku për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit që e shpalli “persona non-grata” në SHBA.

 

Michael Gibaldi është një jurist i diplomuar ‘suma cum laude’ nga Universiteti Pensilvanisë dhe i Harvardit dhe specializohet me fokus në çështje penale, administrative si dhe gjyqet tregtare komplekse. Shefi i tij, Michael Tremonte është ish-prokuror dhe avokat me eksperiencë – partner dhe themelues i studios ligjore ‘Sher Tremonte LLP’.

Me zyra në ‘Broad Street’ të Manhatanit –zemra e distriktit financiar të Nju Jorkut, Sher Tremonte LLP është një studio ligjore e specializuar në përfaqësimin e kompanive në konflikte tregtare komplekse si dhe probleme ligjore që lidhen me të ashtuquajturit ‘jaka të bardha.”

Në datën 4 mars, studioja ligjore Sher Tremonte – e përfaqësuar nga dy juristët Gibaldi dhe Tremonte është regjistruar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA si kompani lobimi për ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla.

Sipas formularit të regjistrimit, një kopje e të cilit është siguruar nga BIRN, qëllimi i aktiviteteve të lobimit, të ndërmarra nga “Sher Tremonte’ në emër të ish-prokurorit shqiptar në SHBA lidhet me vendimin e Departamentit të Shtetit për ta shpallur Llallën dhe familjen e tij si persona non-grata. [Kliko për dokumentin].

“Shfuqizimi i vendimit të Departamentit të Shtetit i datës 14 shkurt 2018, për të listuar Adriatik Llallën dhe familjen e tij të afërt si të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara,” përshkruhet si qëllimi specifik i aktiviteteve të lobimit në formular.

Llalla u shpall i padëshiruar nga Departamenti i Shtetit një vit më parë, me motivacionin e përfshirjes domethënëse në korrupsion. Përveç Llallës, në formular listohet si financues i aktiviteteve të lobimit në një vlerë më të madhe se 5 mijë USD  edhe një kompani nga Nju Xhersi, e quajtur ‘Lita Brothers Construction’ – në pronësi të familjarëve të nënkryetarit të bashkisë së Kamzës, Korab Lita.

Shuma totale që ka paguar Llalla dhe kompania “Lita Brothers Construction” për aktivitetet e lobimit mbetet e paqartë.

I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, Llalla nuk ju përgjigj një kërkese për koment. Edhe lobistët Gibaldi dhe Tremonte gjithashtu nuk iu përgjigjën një kërkese të BIRN për koment nëpërmjet emailit.

Ndërkohë, nënkryetari i bashkisë së Kamzës, Korab Lita i tha BIRN se nuk kishte lidhje me përpjekjet e Llallës për lobim në SHBA.

“Unë jetoj në Shqipëri dhe nuk kam asnjë lidhje fare,” u shpreh Lita prerazi.

Non-grata në SHBA

Ekstrakti i kompanisë “Lita Brothers Construction” në Nju Xhersi, e përfaqësuar nga Bedri Lita.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Gjatë mandatit të tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Llalla u përball me akuza për punë të dobët në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërkohë që pati edhe një përplasje publike me ish-ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, me të cilin e ndanin pikëpamjet për reformën në drejtësi.

Nëpërmjet një njoftimi publik një vit më parë, në mesin e muajit shkurt, ish Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën në një listë të zezë zyrtarësh që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.

Ligji amerikan parashikon që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose t’i bëjë publike, siç ishte rasti i z. Llalla. Përveç Llallës, vendimi sanksionon hyrjen në Amerikë edhe për bashkëshorten e tij, Ardiana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe të një fëmije tjetër që nuk ka shtetësi amerikane.

Por duket se ish-prokurori nuk është pajtuar me vendimin e marrë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe për ta përmbysur atë, ka punësuar studion ligjore “Sher Tremonte” LLP.

Studioja ligjore Sher Tremonte LLP nuk është një kompani klasike lobimi. Megjithatë, në kongresin amerikan, avokatët Gibaldi dhe Tremonte njihen si dy juristët që kanë asistuar gjatë intervistës përpara Senatit lobistin ruso-amerikan, Rinat Akhmetshin.

Sipas mediave amerikane, Akhmetshin ka qenë një agjent sovjetik i kundërzbulimit dhe është lidhur me një fushatë lobimi në SHBA për të shfuqizuar të ashtuquajturin ligji ‘Magnitsky’. Ky ligji i miratuar nga Kongresi Amerikan në vitin 2012, ka për qëllim sanksionimi e personave të lidhur me vdekjen në një burg të Moskës, të kontabilistit rus Sergei Magnitsky.

Midis Llallës dhe Akhmeteshin nuk duket se ka ndonjë lidhje, përveçse të dy palët kanë punësuar të njëjtët avokatë për t’i asistuar me problemet e tyre ligjore në SHBA.

Kompania ‘Lita Brothers Construction’ është regjistruar në SHBA në vitin 2005, në Cliffside Park, Nju Xhersi në emër të Bedri Litës. Aktualisht kompania e ka selinë në 378 South Washington Avenue, Bergenfield.

Bedriu është vëllai i Korab Litës, nënkryetarit të bashkisë së Kamzës. Vëllezërit e Korab Litës, emigrantë prej shumë vitesh në SHBA, janë aktivë në komunitetin shqiptaro-amerikan. Përpjekjet për të kontaktuar kompaninë ‘Lita Brothers Construction’ nëpërmjet telefonit rezultuan të pasuksesshme, ndërkohë që lidhja e tyre me ish-prokurorin Adriatik Llalla mbetet e paqartë.

Hetimet ndaj Llallës

Taka e blerë nga ish Prokurori Adriatik Llalla në fshatin Qeha Shetaj | Foto nga : BIRN

Në kohën që Adriatik Llalla bën përpjekje nëpërmjet lobistëve në SHBA për të hequr emrin nga lista e zezë e Departamentit të Shtetit, ai po hetohet në Shqipëri nën dyshimin se është përfshirë në një skemë pastrimi parash.

Akuza ndaj Llallës përfshin veprat penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë, interesave private të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë”, “mosdeklarim të shumave monetare në kufi”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim detyre”.

Në korrik 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë sekuestroi pronat e ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale,” deklaroi prokuroria.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzën e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Një investigim i mëparshëm i BIRN tregoi se si Llalla transformoi një investim fillestar prej 16.3 milionë lekësh në prona me vlerë mbi 1 milionë euro përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen -fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Adriatik Llalla bleu katër parcela tokë me sipërfaqe totale prej 22 mijë metrash katrorë nga dhjetori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017. Të katër kontratat i kushtuan 14.8 milionë lekë në total ish-kryeprokurorit, me një çmim që luhatet nga 600 në 1 mijë lekë për metër katror. Menjëherë pas blerjes, Llalla i përfshiu tokat në procesin e rivlerësimit dhe sipas çmimeve të referencës, vlera e tyre totale u rrit me 6-fish, duke kapur shifrën e 93.7 milionë lekëve.

Llalla e ka deklaruar veten të pafajshëm ndaj akuzave. Megjithatë, pas gati 1 vite e gjysmë pa punë dhe me asetet e tij të ngrira nga Prokuroria, mbetet e paqartë se me çfarë mjetesh financiare e ka siguruar ai shërbimin e studios ligjore amerikane ‘Sher Tremonte LLP’.

Marrë nga Reporter.al