Foto-ilustrim

Ish-gjyqtari Sali Berisha i akuzuar për ryshfet: 10 mijë eurot në zarf ishin të motrës së gruas time

I akuzuar për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje, ish-gjyqtari Sali Berisha ka paraqitur mbrojtjen e tij në Gjykatën e Prishtinës përballë akuzave që rëndojnë ndaj tij.

Berisha tha që paratë (10 mijë euro) që ishin gjetur në një zarf të bardhë gjatë bastisjes nga Policia ishin të Time Thaqit, motrës së bashkëshortes së tij.

“Mjetet kanë qenë të Time Thaqit, motrës së bashkëshortes”- tha Berisha gjatë dhënies së mbrojtjes.

Sipas të akuzuarit, kjo shumë e parave i ishte dërguar nga motra e bashkëshortes për shkak të relacionit të veçante që kishin Time Thaqi dhe bashkëshortja e tij.

“Si rezultat i rrethanave të jetës se tyre në të kaluarën kanë pasur një raport të veçantë”- tha tutje Berisha.

Sali Berisha shtoi se arma e cila ishte gjetur në banesë të tij gjatë bastisjes policore nuk ishte e tij por e vëllait.

“Revolja ka qenë e vëllait, Samiut, ngase siç ka deklaruar edhe bashkëshortja, se pa dijeninë time ai (vëllai) e ka lënë përkohësisht”- tha tutje Berisha.

I akuzuari tha që nuk kishte arsye pse të mbante armë, e as nuk kishte marrë leje për armë.

“Jo, nuk ka qenë sepse çdokush e di që një gjyqtar nuk ka nevojë me mbajtë armë pa leje sepse në çdo rrethanë dhe moment mundet me autorizu ose legalizu pa asnjë problem… Asnjëherë nuk kam poseduar armë, as nuk kam marrë leje për armë edhe pse ke pasë të drejtë me marrë”- tha në vazhdim Berisha.

I njëjti gjithashtu tregoi se ai nuk ishte prezent në momentin kur i ishte bastisur banesa ku ai jetonte me familjarët e tij, dhe se procesverbali nga bastisja i ishte sjellë për nënshkrim në stacionin policor në Pejë.

I akuzuari Berisha tregoi se që nga viti 2013 familja e tij ishin mbajtur me të ardhurat e tij si gjyqtar.

“Prej vitit 2013 familja ime ka jetuar me vetëm të ardhurat e mia personale”- tha tutje Berisha.

Gjithashtu Berisha mohoi që të ketë njohur më parë personin me emrin Muhamet Zekaj, deri në momentin kur Zekaj ishte paraqitur për një çështje si palë në procedurë penale e ku gjyqtari në atë rast kishte qenë tashmë i akuzuari Sali Berisha.

Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me dhënien e mbrojtjes në seancën që do të mbahet më 9 shkurt.

Kujtojmë që në qershor të vitit 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha, përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç ‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.