Isa Mustafa reagon për mungesën e Vjosa Osmanit në Kuvend dhe Albin Kurtit në dorëzim të detyrës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur të papërgjegjshëm mos-drejtimin e seancës nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ku u votua Hoti si kryeministër.

Njëjtë e ka quajtur edhe mosdorëzimin e detyrës së kryeministrit nga Albin Kurti te Avdullah Hoti.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë gjithashtu se Kurti para se ta shkarkonte Hotin nga pozita e zëvëndëskryeministrit e ka shkarkuar veten.

Mustafa tutje ka thënë se pamja e sotme e kryeministrit Hoti, i vetëm para FSK, pa Kurtin, tregon se para vetes nuk ka pasur një kryeministër.

“Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë. E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm. Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve. Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremoninë e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij”, ka shkruar Mustafa.