Iran - Ekzekutohet protestuesi me probleme të shëndetit mendor
Një protestues iranian me probleme të shëndetit mendor është ekzekutuar për shkak të vdekjes së një zyrtari vendas gjatë demonstratave masive që tronditën Iranin në vitin 2022, njoftoi të martën agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian.
“Dënimi me vdekje i Mohammad Ghobadlou për krimin e vrasjes me dashje të Farid Karampour Hassanvand u ekzekutua mëngjesin e sotëm pas 487 ditësh shqyrtim gjyqësor të çështjes”- thotë agjencia e lajmeve Mizan.
Autoritetet iraniane pretendojnë se Ghobadlou e ka goditur zyrtarin gjatë një proteste në Robat Karim, provincën e Teheranit, në shtator 2022, sipas grupit të të drejtave të Amnesty International.
Ai u dënua me vdekje nga gjyqtari Abolqasem Salavati – i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për dënimet famëkeqe të ashpra që ai i ka dhënë ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe të burgosurve politikë, raportoi më parë CNN.
Ghobadlou mori dy dënime me vdekje – një për “korrupsion në tokë”, të lëshuar nga një Gjykatë Revolucionare dhe e mbështetur nga Gjykata e Lartë, dhe një për vrasje, të lëshuar nga një gjykatë penale në provincën e Teheranit, sipas Amnesty International.
Mizan raportoi se dënimi me vdekje për “korrupsion në tokë” u pezullua në fillim të këtij muaji derisa të hetohej akuza për vrasje me dashje.
Amnesty International i ka kritikuar dënimet me vdekje për ndjekjen e atyre që i përshkroi si “gjyqe të padrejta, të rreme, të dëmtuara nga “rrëfimet” e ndotura nga tortura dhe dështimi për të urdhëruar vlerësime rigoroze të shëndetit mendor, pavarësisht nga paaftësia mendore (e Ghobadlou).
Ghobadlou kishte qenë nën mbikëqyrjen e një spitali psikiatrik për çrregullime bipolare që në moshën 15-vjeçare, sipas Amnesty International. Ligji dhe standardet ndërkombëtare e ndalojnë përdorimin e dënimit me vdekje ndaj personave me aftësi të kufizuara mendore, sipas grupit të të drejtave.
Në X, dikur Twitter, ai shkroi se “udhëheqësi i Republikës Islamike Ali Khamenei dhe gjyqësori i tij duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë krim. Ky ekzekutim duhet të përballet me dënime të forta ndërkombëtare!”.
Të paktën tetë protestues dihet se janë ekzekutuar në lidhje me demonstratat mbarëkombëtare për vdekjen e Mahsa Amini në shtator 2022.
Amini, një grua 22-vjeçare, vdiq në paraburgimin e policisë morale të Iranit pasi u arrestua nën dyshimet se nuk mbante shaminë e saj në mënyrë të përshtatshme.
Protestat u përhapën në masë dhe autoritetet iraniane iu përgjigjën me forcë brutale, arrestime masive dhe gjyqe të rreme të nxituara, dhe kjo bëri që SHBA të vendoste sanksione.
Më shumë se 300 njerëz u vranë në protestat disamujore, duke përfshirë më shumë se 40 fëmijë, sipas raporteve të bëra nga Kombet e Bashkuara. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut me bazë në SHBA (HRANA) e ka bërë të ditur numrin e të vdekurve në më shumë se 500, përfshirë 70 fëmijë. Mijëra u arrestuan në të gjithë vendin, sipas një raporti të OKB vitin e kaluar, duke cituar një hulumtim nga Komiteti i saj për të Drejtat e Njeriut./CNN
Përgatiti: Nuhi Shala