Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

IPK fillon procedurat hetimore për incidentin dhe arrestimin e aktivistit të LVV nga mbrojtja e afërt e presidentit

Arrestimi i një qytetari, gjatë ditës së sotme nga ana e pjesëtarëve të Njësitit të Mbrojtjes së Afërt po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Kjo pasi që qytetari ishte ndaluar nga truprojat e presidentit Hashim Thaçi, e më pas është arrestuar nga Policia dhe është dërguar në stacion policor.

KALLXO.com ka filmuar edhe arrestimin e qytetarit, i cili ndodhi jashtë rrethojave të Kuvendit, derisa presidenti Thaçi ishte duke mbajtur konferencë për media.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK ka thënë se ankesën e kanë pranuar përmes Linjës së Kaltër.

“Inspektorati Policor i Kosovës pas publikimit në media të incidentit në fjalë dhe pas pranimit të informacioneve për këtë rast përmes Linjës së Kaltër (080003333) sipas detyrës zyrtare ka reaguar duke dërguar një ekip të hetuesve. Hetuesit e IPK-së kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili po ashtu ka qenë në stacionin policor Qendra në Prishtinë.”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje, IPK ka thënë se në koordinim me prokurorin hetuesit e IPK-së, janë duke ndërmarrë veprime hetimore duke përfshirë edhe marrjen e deklaratës nga ankuesi.

“Veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në konsultim me prokurorinë kompetente në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës”, ka thënë IPK për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi se qytetari Veron Hasani, për të cilin u tha se ishte aktivist i LVV-së, ishte ndaluar pasi që e kishte quajtur hajn presidentin Thaçi teksa ky po mbante një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Teksa policët po e çonin në veturë Veron Hasanin dy qytetarë të tjerë tentonin t’i pengonin policët, duke kërkuar prej tyre se cila ishte arsyeja e arrestimit të tij.

Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se truprojet e presidentit Thaçi kanë goditur dhe kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin e tyre, Veron Hasani dhe kanë kërkuar lirimin e tij.

Kurse, Thaçi ka theksuar mbrojtja e tij e afërt “ka bërë punë të shkëlqyer” në ndërhyrjen ndaj protestuesit.