Inspektorët e Prishtinës në aksion, shpërndajnë mbi 134 mijë euro gjoba

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës vetëm deri në fund të muajit nëntor ka shpërndarë 770 gjoba.

E të hyrat nga këto gjoba kapin një vlerë të madhe të parave.

“134,026.31 euro është vlera e përgjithshme e të hyrave të Komunës nga 770 gjoba që janë paguar deri në fund të nëntorit. Kësisoj, parashikimi i të hyrave nga ky sektor për buxhetin e këtij viti, është tejkaluar 34%”, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.

“Gjoba nuk është qëllim në vete, por mjet për të ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që të punojnë sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Qindra të tilla janë shqiptuar sivjet nga Drejtoria e Inspekcionit, sipas rasteve që janë hasur në terren”, thuhet në fund të njoftimit.