Foto: IKShPK

IKSHPK bën thirrje për vaksinim ndaj gripit dhe Covid-19

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se dje janë regjistruar 17 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 1,263 mostrave, ku gjatë 24 orëve po ashtu, janë shëruar 5 pacientë, ndërkohë raste aktive janë 335.

Ndërsa, sa i përket vaksinimit kundër koronavirus, vetëm dje janë dhënë 1,349 doza të vaksinës.

Prandaj, në lidhje me çështjen e vaksinimit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 pasi që ky virus dhe gripi mund t’i shpiejnë në gjendje serioze personat mbi moshën 65 vjeçare.

Përveq kësaj, IKSHPK ka theksuar se gripi dhe COVID-19 mund të jetë serioz për njerëzit me gjendje të dobët shëndetësore.

Ndërkaq, varianti i ri i COVID-19 po cilësohet si shqetësim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas kësaj të fundit, varianti me emrin Omicron, u raportua për herë të parë në Afrikën e Jugut më 24 nëntor. I njohur si B.1.1.529, ai është identifikuar gjithashtu në Belgjikë, Botsvanë, Hong Kong dhe Izrael.

Në një deklaratë të OBSH-së ku zyrtarisht është emëruar edhe varianti i ri, u tha se numri i rasteve të këtij varianti duket se po rritet në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës së Jugut./Rtv21