Ilustrim

I shkaktoi lëndime të rënda trupore një personi para dy ditësh, arrestohet ferizajasi

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt njoftoi se ka arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person tjetër para dy ditësh.

Rasti kishte ndodhur në Ferizaj ndërsa nga përleshja fizike një person kishte marrë lëndime të rënda trupore.

“Në lidhje me këtë, policia ka marr veprimet e duhura dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para është mësuar se , për shkak të një mosmarrëveshje një person i ka shkaktuar personit tjetër lëndime të rënda trupore me një mjet të fortë dhe i dyshuari kishte ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Pas dy ditësh, personi me inicialet L.B. është arrestuar.

“Policia, përkatësisht Njësia e Hetimeve nga stacioni policor në Ferizaj, ishte në kërkim të personit të dyshuar dhe pas një pune intensive në terren dhe informacioneve të siguruara, ka arritur që sot rreth orës 16:10 të arrestojë personin e dyshuar me inicialet L.B (M/K) i moshës 30-vjeçar”, thuhet në njoftim.

I dyshuari pasi është intervistuar nga Policia me vendim të prokurorit të Prokurorisë së Ferizajt është dërguar në mbajtje për 48 orë.