Hekurudhat në Kosovë | Foto: Infrakos
'Infrakos’ s’ka dëshmi për 4 milionë e 750 mijë euro të granteve
Raporti i Auditorit për ndërmarrjen publike ‘Hekurudhat e Kosovës-Infrakos” Sh. A., në mes tjerash, evidenton së ndërmarrja kishte mangësi të dhënash për grantet.
Auditori i Përgjithshëm gjeti se pati mungesë të dëshmive të detyrimeve ndaj granteve në vlerë mbi 4,750,000 milionë euro
“Ndërmarrja në pasqyrën e pozicionit financiar kishte prezantuar detyrimet ndaj granteve në vlerë 40,080,848 euro. Megjithatë, ne kemi identifikuar se vlera 4,750,000 euro e detyrimeve ndaj granteve nuk ishte mbështetur në dëshmi mbështetëse si raport pranimi, apo ndonjë dëshmi tjetër relevante”- thuhet në gjetjet e raportit të ZKA-së.
Mungesa e dëshmive burimore ndërlidhet me studimin e fizibilitetit për projektin “Linjës së 10-të të hekurudhave, të cilat i referohen viteve të mëhershmë”.
Sipas raportit kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit të brendshëm për të siguruar në kohë dokumentacionin e nevojshëm dhe departamenti i financave ishte i bazuar vetëm në një korrospodencë [mail] nga njësia për implementim të projekteve në ndërmarrje lidhur me shërbimet e pranuara.
Në standardin SNK 20, thuhet së grantet qeveritare që lidhen me pasuritë përfshirë grantet jo monetare në vlerë të drejtë duhet të paraqiten në pasqyrën e pozicionit financiar ose duke njohur grantin si të ardhur të shtyrë-detyrim ndaj grantit ose duke zbritur grantin që merret nga vlera e bartur e pasurisë.
Bordit të ndërmarrjes ju rekomandua se duhet të siguroj dëshmi relevante me rastin e regjistrimit të detyrimeve ndaj granteve me qëllim që prezantimi në PFV të jetë i plotë dhe i saktë.
Tutje, nëpërmjet letërkonfirmimit, drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kryesuesja i Bordit të Drejtorëve, konfirmoi se pajtohet me gjetjet e raportit dhe rekomandimet pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2023 të Ndërmarrjes Publike “Hekurudha ë Kosovës Infarkos Sh.A.”