Hoti kërkon testime edhe në institucione private shëndetësore edhe pse ligji nuk e parasheh

I nominuari për kryeministër të Kosovës, në ekspozenë e tij para deputetëve ka shpalosur prioritetet e Qeverisë në ardhje.

Ndër të tjera, Hoti ka thënë se do t’i rrisin kapacitete testuese për COVID-19 në Spitale Rajonale, në kujdesin parësor dhe në institucione private shëndetësore.

“Të ketë kapacitete për kryerjen e një numri më të madh testesh si virologjike ashtu edhe serologjike në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike që aktivizohen në rast se epidemia mund të shpërthejë. Për këtë qëllim duhet të bëhet decentralizimi i kapaciteteve testuese në Spitale Rajonale, në kujdesin parësor dhe në institucione private shëndetësore duke marrë në konsideratë edhe vendosjen e shtandeve të vettestimit në publik me të cilat do të ulej presioni ndaj sistemit tonë shëndetësor. Kjo qasje lehtë dhe shpejtë të bëhen testime për personat që kujdesen për personat me sëmundje kronike dhe asimptomatik”, ka thënë Hoti.

Ndonëse Qeveria në ardhje e ka prioritet aktivizimin e institucioneve private shëndetësore për testim për epideminë,  Ligji për Shëndetësi, ua ndalon këtë aktivitet këtyre institucioneve.

Sipas Ligjit veprimtarive private në sektorin e shëndetësisë nuk u lejohet veprimtaria në lëminë e epidemilogjisë (përveç dezinfektimit, dezinsektimit, dhe deratizimit parandalues), ekologjia humane, dhe mikrobiologjia e mjedisit