Hoti e arsyeton shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot me anë të një postimi në “Facebook”, iu ka drejtuar nxënësve dhe prindërve. Hoti e ka arsyetuar shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor, duke thënë kjo po bëhët për të mirën e prindërve dhe gjyshërve.

“Lajmi për mos fillimin e mësimit deri më 14 shtator nuk ju ka gëzuar, përkundrazi. Nuk ka qenë e lehtë të marrim një vendim të tillë. Por, shëndeti i juaj dhe i prindërve e gjyshërve tuaj na detyron të jemi të kujdesshëm”, ka shkruar Hoti.

I pari i Qeverisë ka porositur se na duhet disiplinë e përgjegjësi individuale e kolektive për të tejkaluar së bashku këtë situatë.

“Kjo sfidë, që tashmë është shndërruar në betejë, nuk mund të fitohet vetëm nga mjekët dhe nga institucionet. Duhet të rreshtohemi bashkë, njëri krah tjetrit, për t`i bërë ballë virusit tash kur po ofrohet vjeshta. 14 shtatori është afër. Shumë kush do të thotë se për këto dy javë nuk do të fitojmë asgjë, por gabohen. Kur të gjithë së bashku pranojmë të vihemi në shërbim të shëndetit të fëmijëve tanë, mund t`i bëjmë lak së keqes duke e evituar atë”, ka shkruar tutje Hoti.

Ai i ka porositur prindërit që të flasim shumë me fëmijët për rëndësinë që ka të mbajturit e maskës dhe distancës edhe atëherë.

“Duhet t`u bëjmë me dije fëmijëve tanë se ata duhet të kujdesen për shëndetin e tyre dhe tonin. Duhet ta kuptojnë këtë si mision. Në anën tjetër çdo mësimdhënës, punëtor shkolle e përgjegjës institucional duhet ta përdorë këtë periudhë dy javore për të bërë të gjitha përgatitjet në shkollë që shëndeti i fëmijëve të mbrohet”, ka thënë Hoti. Kryeministri u shpreh optimist se kemi zgjuarsinë dhe dashurinë për fëmijët për të përballuar me sukses kthimin e tyre në shkollë dhe në shoqërim me njëri-tjetrin./21Media