Homazhe në Prekaz, krerët e shtetit nderojnë sakrificen e familjes Jashari

Krerët e institucioneve të vendit kanë bërë homazhe sot në Prekaz me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se përveç thirrjes për drejtësi, sakrificën e familjes Jashari do ta kenë gjithmonë udhërrëfyes, teksa shtoi se masakra në Prekaz ishte ndër më të tmerrshme të kryera nga regjimi serb.

“Jemi sot këtu për ta përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, të cilët treguan  një trimëri të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme. Ata u sulmuan në shtëpinë e tyre ku shumica dërrmuese e familjareve që u vranë ishin gra dhe fëmijë, që tregon se kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Përveç thirrjes sonë për drejtësi, ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari sepse ajo që ata bënë për atdheun do të mbes një dritë që do të ndriçoj rrugën e brezave të tërë”, tha presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryekuvendari Glauk Konjufca tha se sakrifica e familjes Jashari tundi botën demokratike që të besojnë në “kauzën tonë të drejtë”.

Sipas tij, sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për liri.

“Është pikërisht ky moment kur sakrifica kthehet në epope dhe i gjithë kombi mobilizohet dhe bëhet UÇK. Një moment jo vetëm që kthehu të gjithë kombin në një ushtri për të dhënë jetën, por e cila sakrificë që faktikisht e shkundi të gjithë botën demokratike që të besojnë në kauzën tonë të drejtë”, deklaroi Konjufca.

Kryeministri Kurti në një prononcim para mediave tha se UÇK ka bërë luftë mbrojtëse, dhe sipas tij, drejtësia dhe e vërteta nuk mund të jetërsohen as nga deformimet që vinë e as nga mohimet që bëhen.

“Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve. Ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edhe në dhjetor 1991 dhe janar 1998. Të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë. UÇK ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të jetërsohen as nga deformimet që vinë e as nga mohimet që bëhen. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si institucione dhe qytetarë, jo vetëm që nuk e harrojmë nga vijmë por ndërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme e dimë se si të ecim mirë, mbarë dhe drejtë përpara”, ka thënë Kurti.

Më 5 mars u bënë 24 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.