Hidhet shorti për “Qatar 2022”, Kosova në grup me Spanjën e Suedinë

Në Zurich është tërhequr shorti për ciklin kualifikues të Botërorit “Qatar 2022”.

Në këto kualifikime, kombëtarja e Kosovës do të ketë rivalë Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.

Këto kombëtare bëjnë pjesë në Grupin B.

Gjatë hedhjes së shortit, Kosova u caktua për në Grupin A, por meqë në të bënte pjesë edhe Serbia, dhe pasi që FIFA kishte paralajmëruar se do të shmangte një përballje të tillë, Kosova u zhvendos në Grupin B.

Ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Qatar 2020” do të nisin më 25 mars 2021 dhe do të mbyllen më 16 nëntor.

Ekipet fituese të 10 grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës, derisa atyre do t’iu shtohen edhe 3 ekipe tjera që do të arrijnë të fitojnë “play-off”-in, në të cilin do të marrin pjesë 10 vendet e dyta si dhe dy ekipe që vijnë nga Liga e Kombeve.